Stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”, e cila prej dy muajsh u zhvillua në vendin tonë është përmbyllur këtë të shtunë. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane, e cila, shpërndau njoftimin e zyrave qendrore të Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Azinë.

Në njoftim, Ambasada Amerikane, kujton se stërvitja ushtarake e NATO-s, nisi në Shqipëri me ekzekutimin e operacioneve të përbashkëta logjistike, nga deti në breg në Portin e Durrësit. Gjatë këtij operacioni, Anija Detare e Shteteve të Bashkuara, Bob Hope, e cila është dhe më e madhja strategjike transportuese e SHBA, shkarkoi mbi 1000 pajisje të rënda në anije më të vogla, të cilat transferuan ngarkesën në breg për të vijuar më tej.

“| DEFENDER-Europe 21 nisi në Shqipëri me ekzekutimin e operacioneve të përbashkëta logjistike nga deti në breg në Portin e Durrësit. Gjatë operacionit, Anija Detare e Shteteve të Bashkuara Bob Hope, anija më e madhe strategjike transportuese e SHBA, shkarkoi mbi 1000 pajisje të rënda në anije më të vogla, të cilat e transferuan ngarkesën në breg për vijuar më tej. Kjo ishte hera e parë që operacione të përbashkëta logjistike nga deti në breg ekzekutoheshin në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa aktivitetet e DEFENDER-21 në të gjithë Evropën po vijnë drejt mbylljes, mësoni më shumë se si Shtetet e Bashkuara, aleatët e NATO-s dhe partnerët punuan së bashku përgjatë kësaj stërvitjeje vjetore shumëkombëshe të përbashkët e në shkallë të gjerë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. Vlen për t’u përmendur se kjo ishte hera e parë që operacione të përbashkëta logjistike nga deti në breg, ekzekutoheshin në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore.