Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Roland Bejko u shprehet i bindur se Berisha e ka mbyllur ciklin e tij në krye të PD-së dhe nuk do të ketë një rikthim të tij.
Për Bejkon, në kushtet në të cilat është ish-kryeministri duke iu referuar këtu vendimit Non-grata nga SHBA, as nuk mund të supozohet diçka e tillë.
“Në kushtet në të cilat është aktualisht doktori nuk mund të supozohet fare një rikthim në krye të PD-së. Kur ka një shpallje Non-grata nga SHBA-të. Kthimet në historinë politike nuk është se kanë rezultuar shumë të suksesshme. Unë jam i parimit, që secili duhet të njohë që ka një cikël politik. Unë mendoj që për të qenë kryetar i Partisë Demokratike, Berisha e ka mbyllur ciklin ”, tha Bejko në emisionin ‘Spotlight’.
Lidhur me votën që demokratët dhanë për Bashën, Bejko u shpreh se ajo është një votë besimi që në aksionin e ardhshëm kreu i PD-së ti çojë në fitore. Bejko shton se Partia Demokratike duhet të pranojë fraksionet dhe sipas tij, Basha tashmë duhet të kapërcejë vetveten.
“Partia Demokratike duhet të bëhet gati që të pranojë edhe fraksionet dhe ti institucionalizojë ato në statutin e vet. Vota që i është dhënë z.Basha, nuk është një votë që i është dhënë në mënyrë plebishitare në një mazhorancë kaq absolute, sepse ai e drejtoi shumë mirë PD-në, por i është dhënë një votë besimi, për t’i çuar në fitore në aksionin e ardhshëm politik. Kjo shton përgjegjësinë e z.Basha dhe unë e kam thënë që z.Basha të ketë sukses në mandatin e tretë, në radhë të parë duhet të kapërcejë vetveten.”, u shpreh ai.