“Qeveria shqiptare ka projektuar masat për të ardhmen e afërt, në mënyrë që të rikuperohet plotësisht nga “fatura” e pandemisë COVID-19 dhe të adaptohet me trendet e reja të tregjeve”. Kështu u shpreh sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, që u zhvillua online, me temë “Nga do të vijë rritja në të ardhmen”. Të pranishëm në këtë forum ishin personalitete të fushës së ekonomisë nga vende të ndryshme. Punimet e këtij forumi u përqendruan kryesisht nëse si ekonomitë e përparuara, dhe ato në zhvillim do të jenë në gjendje të gjenerojnë rritjen ekonomike të nevojshme për t’u rikuperuar nga viti i kaluar dhe t’i vendosin vendet në një udhë të barazisë, qëndrueshmërisë dhe lëvizshmërisë sociale.
Gjatë sesionit “Identifikimi i rritjes së të nesërmes”, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, i njohu pjesëmarrësit me një përmbledhje të masave që u ndërmorën gjatë vitit të kaluar në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve, për të përballuar efektet e krizës së shkaktuar nga COVID-19. “Shqipëria qëndron në krye të përqafimit të teknologjive të reja dhe akomodimit të modeleve të reja të biznesit, për të qenë në krye të hartës së investitorëve. Kjo qasje është parashikuar në Strategjinë e Shqipërisë 2030 dhe në Planin e Veprimit e konkretizuar me qëllime specifike për të gjithë sektorët e ekonomisë”, u shpreh Denaj.
Ajo shtoi se “qeveria shqiptare po përgjigjet përmes një sërë masash të hartuara me kujdes në Strategjinë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve, për 7 vitet e ardhshme”. Përdorimi i potencialeve, tha Denaj, kërkon një qasje të synuar dhe koherente si, transformimi që do të vijë kryesisht nga ndryshime teknologjike, në agrikulturë dhe prodhim, të cilat do të jenë sektorët kyç për zhvillimin dhe vendet e reja të punës.
Sipas saj, “mbështetja direkte dhe indirekte nga qeveria duhet të merret në konsideratë gjatë kësaj periudhe transformimi për SME-të, e cila ka nevojë për të më shumë se kurrë për zhvillimin e teknologjisë dhe arsimit profesional, çka do të ndikojë direkt në nivelin e punësimit dhe zhvillimit ekonomik”. Gjithashtu sipas ministres Denaj, do ketë mbështetje dhe alokim të lartë të buxhetit të shtetit për shëndetësinë. Ajo tha se shumica e fushave prioritare synojnë të adresojnë sfidat e një modeli të ri të rritjes ekonomike, nënvizoi Denaj, e cila solli në vëmendjen e pjesëmarrësve, masat që lidhen veçanërisht me trajnimet, kërkimet dhe inovacionet.