Nga Vilma Bello*

Në historinë e Shqipërisë keqkuptimet groteske ku cinizmi është shitur për dinjitet, mendja e mbyllur është tregtuar për forcë karakteri dhe ku meskiniteti është valëvitur tribunave si shembull që ndiqet e adhurohet, nuk janë të rralla. Nganjëherë janë rrethanat që vendosin. Ndodh që etja për ndryshim e zhvillim, nevoja e madhe e përparimit në një vend ku, siç na e tregon Konica, kanë gëluar levantinët, njerëzit-robotë e ekspertët që u turren si shushunja burimeve të shtetit e popullojnë zhurmshëm zyrat në emër të popullit (!), t’u japë mundësi mosmarrëveshjeve të këtilla.

Kanë ndodhur e do të ndodhin. Ama, pikërisht, nevoja jetike për shërbime e përfaqësim ua nxjerr shpejt kallajin llojeve të mësipërme, ndërsa dëmi që bëjnë pa ndjerë e nën poteren e hijes së tyre groteske, është i madh. Sot, kur Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë merituar plotësisht një mandat historik që do t’ia kthejnë shoqërisë shqiptare si mundësi zhvillimi të pakrahasueshme me asnjë nga proceset e derisotme, kjo dukuri kulturore dhe politike levantinësh, robotësh e njerëzish-ekspertë kërcet, bën zhurmë në pakuptimësinë e saj. Opozita në njërën anë, me kalvarin e saj të identitetit, është plot e përplot me kësisoj kategorish.

E dhimbshme, për fat të keq për ne socialistët, në anën tjetër, është kur rast shembullor bëhet njëri prej nesh, kryetari i bashkisë Vlorë. Po njësoj e mendoj që për shumë syresh është njësoj sa i dhimbshëm, aq edhe i panevojshëm ky reagim. E do u jepja të drejtë plotësisht nëse do t’i kisha ndjekur vetëm këto kohë ditët e qytetit tonë, madje, edhe më shumë të drejtë, nëse do mbetesha lidhur pas një parimi që e besoj fort sa edhe mjaft socialistë: nuk është as e lehtë, as fort e dobishme t’i “biesh me gurë shtëpisë sate”. Por jo, nuk lidhet thjesht e vetëm me këtë; është më shumë se kaq.

Gjykoj që nuk mund të flasim thjesht për “punët e përditshme” të shtëpisë sonë-këtij qyteti, punë të cilat ishin po aty e, madje ca më shumë, edhe më parë. E kam të vështirë ta shoh qytetin sot thjesht si ngjarje të së tashmes – nuk e kam parë kështu asnjë kohë; është e mbartur nga e ca kohëve më parë kur kushdo e kujton mirë (vlonjatët edhe më mirë) pakënaqësinë e vazhdueshme për moskryerjen e punëve në qytet, punë që sot po nxitohet të bëhen plot, me një ngut jo të natyrshëm për kujtesën tonë këto 6 vite.

Nuk kam parasysh thjesht metodologjinë e administrimit të punëve të qytetit, as pikëpamjet e panjohura të kryetarit të bashkisë (që, me durim, e kemi pritur t’i shqiptojë), as të qenit i padukshëm në mes të shndërrimit kolosal urban që ka pësuar e po pëson Vlora. Siç e thashë, është çështje rrethanash dhe disa njerëz kanë limitet e tyre, sidomos kur shtrëngohen t’u përgjigjen disa ritmeve në vetvete të jashtëzakonshme të punës e të jetës. Kjo mund t’i ndodhë kujtdo.

E kam me pakuptimësinë që e rrethon. Kulturalisht e politikisht ai nuk e përligj më besimin që i është dhënë. I ka hyrë një sfide që nuk ka asnjë fije lidhje me dinjitetin, d.m.th të qëndrojë medoemos aty ku jo thjesht nuk mund të japë më, por, pikërisht për këtë shkak, të shtiret e duke u rropatur, pa më asnjë dobi për Vlorën.

Dikush mund të thotë se “pakuptimësia” nuk është argument, se kjo mbetet çështje e vendimmarrjes së tij etj., etj. Ashtu qoftë! Por, pikërisht për këtë, për cinizmin e një njeriu që nuk e çmon mirënjohjen si veti morale dhe as e ushtron përgjegjësinë politike si detyrim, “pakuptimësia” bëhet argument! E përsëris, rrethanat, sa ç’mund të jenë fatlume kur i ke këllqet, aq edhe mund të të zbulojnë si levantin, robot e ekspert, në kuptimin e Konicës.

*Deputete e Partisë Socialiste