Në studion e lajmeve të Dritare TV ishte i ftuar analisti Dritan Hila, i cili foli rreth aktualitetit politik në vend, duke folur për seancën e shkarkimit të Presidentit, si edhe për vendimin e SHBA lidhur me ndalimin e personave që sjellin destabilizim në Ballkanin Perëndimor dhe rrezik për demokracinë.

“Rama i kishte të gjitha votat e nevojshme për të shkarkuar Presidentin, aq më tepër që pjesa tjetër e votuesve brenda Kuvendit nuk ka ndikimin e partive politike, duke u cilësuar edhe si tradhtar, ndërsa zoti Rama ka një parti unike.

Patjetër që do të ketë persona të tjerë që do të ndjekin vendimin për ish-kryeministrin Berisha dhe do t’i nënshtrohen vendimit të prerë të Presidentit Biden për ndalimin e hyrjes në SHBA dhe sekuestrimin e pronave. Por, mendoj se kësaj liste përveç politikës, do t’i bashkohen edhe emra të biznesit, pasi edhe korrupsioni është bërë bashkë me biznesin. Mendoj se i dyti, për t’u shpallur non-grata, pas shkarkimit do të jetë zoti Meta.

Unë e di se si funksionon një perandori, edhe SHBA është një perandori dhe ajo vepron në po të njëjtën mënyrë. Amerika të shpall non-grata dhe më pas të merr edhe pasurinë. Amerika e ka hakmarrjen shumë të gjatë edhe të egër, kjo ka ndodhur edhe me lider të tjerë në botë, si ndodhi me Pinoçetin.”,-u shpreh Hila.