Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, e ftuar në “Opinion” ka folur për herë të parë lidhur me akuzat që i janë bërë asaj se është takuar në një restorant me kryeministrin Edi Rama.
Imeraj mohoi që të ishte takuar me Ramën, jo vetëm në restorant por gjatë gjithë jetës së saj.
Përse ju si prokurore duhet të qëndroni për dy orë në një restorant në Tiranë?
Unë siç e thashë dhe më parë për këto lloj teorish që përhapen në publik se kur bën një hetim je në një krah politik apo në tjetrin. Njohja ime me Kryeministrin është njësoj si e çdo qytetari tjetër në Shqipëri, jo më tepër.
A jeni takuar me Ramën?
Unë nuk e di se kujt i referoheni për këtë informacion, por unë nuk jam takuar kurrë me Ramën në një restorant të Tiranës.
Por zyrtarisht jeni takuar me të?
Nuk ka rënë rasti.
Imeraj ka folur edhe për akuzat që kreu i opozitës, Lulzim Basha i cili gjatë një interviste televizive, e quajti atë “ikonë të krimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë shqiptare”.
Prokurorja tha se nëse Basha ka akuza dhe prova ndaj saj për korrupsion apo krim, mund t’i drejtohet organeve kompetente dhe shtoi se nuk ka hetuar asnjë dosje të Bashës.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu ka konsideruar ikonë të korrupsionit… dhe së fundmi dy tre javë më parë…
Pse ka pasur dhe më herët. Arsyeja pse ishte kaq e nevojshme reformimi i sistemit të drejtësi është që prokurorët të ndihen të pavarur. Çfarë do me thënë që të dalin nga sigma e politikanëve që gjuajnë nga shprehje nga më të ndryshmet që u duhet për një çështje të caktuar duke bërë target një prokuror apo një gjyqtar. Nëse ka pretendime të çfarëdolloj dhe nga kushdo, qoftë për korrupsion apo krim, ka organe specifike që ushtrojë ndjekje penale duke përfshirë dhe një prokuror.
Ajo që kam parasysh në deklaratën e Bashës, ai flet për një Vetting selektiv, ndërkombëtarët kanë ngritur zërin për zonjën Imeraj pasi komisioni ka pasur presion politik…
Zoti Fevziu, Komisioni dhe ndërkombëtarët bëjnë detyrën e tyre. Secili ka perceptimin e vetë dhe krijon bindjen e vetë në bazë të provave. Në bazë të pretendimit që folëm bashkë, siç është rasti i tërheqjes së një anëtares së komisionit dhe siç është pretendimi për një përgjim të një ndërkombëtari. Burimi është një anonim, dhe ne nëse do ta ulim standardin e të hetuar apo të gjykuarit nga një anonim, vaj hallin se çfarë do thoshte më hetimet penale.
Ndërkohë ju i jeni përgjigjur deklaratave të Bashës duke thënë se është një presion që i bëhet një prokuroreje që ka 17 vite në detyrë që ka hetuar Tahirin dhe Shullazin, dhe se është një sulm personal për shkak të dosjeve që kam në dorë në Prokurorinë e Tiranës. Cilat janë dosjet që ka Basha në Prokurorinë e Tiranës?
Në fakt ju nuk i referoheni një deklarate të plotë, është një sulm personal për dosjet që ka pasur në Prokurorinë e Tiranës. Kjo lidhet me një situatë të personalizuar.
Cilat janë dosjet e Bashës që ju keni hetuar?
Unë kam trajtuar asnjë lloj dosje të Bashës.
Dy muaj më parë ka pasur një përplasje në distancë mes Imerajt dhe Bashës.
I ftuar në një studio televizive, kreydemokrati Basha e quajti atë “ikonë të krimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë shqiptare”.
Menjëherë lidhur me këtë deklaratë të kreut të PD, ka reaguar kryeprokuroja e cila tha se “Kriminelët nuk mund t’i bënin presion.
Sipas Imerajt, sulmet personale dhe direkte të kreut të PD Lulzim Basha bëhen për shkak të dosjeve që ai ka në Prokurorinë e Tiranës.