Nga Altin Ketro/ Gjykata Kushtetuese është duke gjykuar një padi të Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta, mbi çështjen e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Mbi këtë çështje është e interesuar edhe një shoqatë e cila u vu në mbrojtje të godinës së vjetër që tashmë është shembur.
Nga njëra anë, qeveria e bashkia, kërkojnë të ndërtojnë aty një teatër të ri, me arkitekturë bashkëkohore, komod në të gjithë parametrat e brendshëm të tij si për aktorët ashtu dhe për spektatorin. Nga ana tjetër, presidenca dhe shoqata, kërkojnë që pronësia e godinës të rikthehet tek ministria e Kulturës dhe që teatri të ndërtohet njësoj siç ka qenë.
Nuk dua të ndërhyj në këtë mosdakordësi mes palëve, por një aspekt me shumë rëndësi nuk mund ta lë pa e trajtuar.
Çështja e Teatrit Kombëtar është zgjidhur përfundimisht më 25 prill 2021, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Një nga spotet e rëndësishme elektorale të Partisë Socialiste ishte ai me një aktor të madh të skenës dhe ekranit, i cili fjalë për fjalë thoshte që vota për PS-së do të thotë që aktorëve t’u ndërtohet një Teatër Kombëtar i ri, më i fortë dhe më i bukur se i vjetri.
Me anë këtij spoti, praktikisht Partia Socialiste po i jepte një alternativë zgjedhësve për të vendosur indirekt pro ose kundër teatrit të ri.
Më 25 prill, populli si në rang kombëtar ashtu edhe në atë vendor për territorin e bashkisë Tiranë, i dha Partisë Socialiste shumicën e votave kundrejt koalicionit opozitar të PD-së plus LSI.
Pra, nga pikëpamja politike populli vendosi me votë për të ardhmen e Teatrit Kombëtar. Në këto kushte, këmbëngulja e presidencës dhe shoqatës kundër projektit të qeverisë dhe bashkisë, duket më shumë si një inat politik se përse qeveria “Rama” të marrë meritat e ndërtimit të një teatri të ri. Tashmë paditësit nuk mund të përfaqësojnë më zërin e shumicës së popullit, sepse sovrani foli qartë me votë më 25 prill.