Abdala, një nga vaksinat kandidate kundër COVID-19 e prodhuar në Kubë dhe një nga të parat që është zhvilluar në Amerikën Latine është 92.28% efektive. Abdala është 92.28% pas tre dozave”, sipas një njoftimi nga Qendra Bioteknologjike (CIGB).

Abdala, në fazën e fundit të provave klinike, pritet të marrë miratimin për përdorim emergjent nga autoritetet kubane në fund të qershorit ose në fillim të korrikut. Të shtunën, Instituti Finley njoftoi se Soberana 2, vaksina tjetër kandidate kundër COVID-19 e zhvilluar në vend, ishte 62% efektive pas 2 dozave.

Këto priten të jenë vaksinat e para të zhvilluara dhe prodhuara në Amerikën Latine, megjithëse studiuesit kubanë kanë denoncuar në mënyrë të përsëritur vështirësitë me të cilat vendi po përballet për shkak të embargos së SHBA-së në 1962, e cila u forcua edhe më shumë gjatë qeverisjes së Trump.

Havana shpreson që 70% e 11.2 milion njerëzve në Kubë të vaksinohen në gusht dhe të gjithë popullsinë deri në fund të vitit. Si rezultat i embargos, Kuba filloi zhvillimin e vaksinave të saj në vitet 1980. Nga 13 vaksinat në programin kombëtar të imunizimit, tetë prodhohen në vend.