Bimët aromatike dhe medicinale vijojnë të jenë ndër prodhimet shqiptare më të eksportuara, të cilat nuk u prekën as nga pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2, pasi kërkesa për bimët e çajit, kryesisht ato që përmbajnë vitaminë C, ishte e lartë në tregjet ndërkombëtare. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tregojnë për një rritje prej 16% të eksportit të këtij grupi, gjatë 4-mujorit të këtij viti krahasuar me atë të vitit 2020. Në vlerë, eksportet e bimëve medicinale dhe aromatike, gjatë 4-mujorit të këtij viti llogariten 1.7 miliardë lekë, nga 1.4 miliardë lekë që ishin në 4-mujorin e vitit 2020.Ndërsa tregjet kryesore janë vendet europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht shtimit të sipërfaqeve të mbjella dhe shtimit të kulturave industria ende vuan mungesën e investimeve në përpunim. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi publikoi sot pamje të fushave të Reçit ku kultivohen bimë medicinale dhe aromatike. Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje.
Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë. Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.
Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin. Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.