Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjenden vetëm disa ditë përpara vendimin për nisjen e bisedimeve me BE-në, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Holanda kanë bërë thirrje që të unioni të përcaktojë një datë për hapjen e negociatave me dy vendet. Kjo është në fakt hera e parë pas tre vitesh që Parisi dhe Amsterdami zyrtar japin dritën jeshile për vendin tonë, pasi në të kaluarën kanë qënë ndër skeptiket më të mëdha të anëtarësimit të Shqipërisë, duke kërkuar më shumë reforma dhe duke vendosur një sërë kushtesh shtesë. I fundit që ka reaguar ka qënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price, i cili theksoi në një postim në Twitter se Uashingtoni mbështet hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesë. “Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesë. Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar angazhimin tonë për integrimin e dy vendeve në Ballkan “, shkroi Price në Twitter.
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian po mblidhet në 22 qershor dhe cështja e konferencës së parë ndër-qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë në rendin e ditës. Këshilli hapi zyrtarisht negociatat e pranimit me të dy vendet në mars të vitit 2020. Hapi tjetër është që BE të miratojë kornizat negociuese me të dy vendet, të mbajë konferencat e para dhe të nisë hapja de facto e kapitujve. Komisioni Europian paraqiti në Këshill draft kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në 1 korrik të vitit 2020. KE vlerësoi se të dy vendet ishin të gatshëm të kalonin në fazën tjetër, por vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedoninë e Veriut ka bllokuar sërish procesin.
Idetë e ndarjes të të dy vendeve dhe lejimit të përparimit të Shqipërisë u konsideruan nga një sërë vendesh anëtare, por siç raportojnë mediat europiane, janë hedhur poshtë. Në përpjekje për të zhbllokuar procesin, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev u takua dje në Paris me presidentin e Francës Emmanuel Macron, iniciatori kryesor i shtyrjes së hapjes së bisedimeve të pranimit në vitin 2019. Presidenti Francez, megjithatë, tani thotë se ai mbështet fillimin e negociatave. “Bashkimi Europian vendosi në mars të vitit të kaluar për të filluar negociatat me vendin tuaj dhe Shqipërinë dhe tani është koha për ta konkretizuar atë vendim dhe Franca në mënyrë aktive e mbështet këtë vendim. Maqedonia e Veriut meriton të fillojë negociatat pa vonesë. Unë jam personalisht i përfshirë në gjetjen e një zgjidhje me Bullgarinë” tha presidenti Macron në një deklaratë para darkës së punës.
Qeveria holandeze ka njoftuar gjithashtu se gatshme të mbështesë fillimin e bisedimeve të pranimit. Dy letra nga qeveria holandeze për në parlament tregojnë se gjatë Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 22 Qershorit, qeveria synon të mbështesë miratimin e kornizave negociuese dhe planifikimin e Konferencave Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Wouter Zweers, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se qeveria holandeze po ashtu pritet të mbështesë verdiktin e Komisionit se Shqipëria tani ka bërë përparim të mjaftueshëm dhe ka plotësuar kushtet për nisjen e bisedimeve. Në dy vitet e fundit, Holanda ka treguar rezerva të qarta në lidhje me vazhdimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe ishte, së bashku me Francën, një nga vendet e pakta që thuhet se parandaloi vendimin për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE në tetor të vitit 2019, duke shkaktuar reagime të konsiderueshme negative nga zyrtarët e BE-së. Tema/