Nga sot Franca ka hapur dyert për qytetarët shqiptarë, të cilët janë vaksinuar me një nga 4 vaksinat që është njohur nga EMA. Franca lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, që kanë bërë vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson dhe përveç vaksinës ato janë të pajisur me test PCR negative të 72 orëve të fundit.
Vaksinat e pranuara nga Franca janë ato të njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA): Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Ndërsa në vendin tonë po përdoren 4 lloje vaksinash: Pfizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik V.
Prova e vaksinimit është e vlefshme nëse lejon të vërtetohet përfundimi i një kohe të plotë të vaksinimit, përkatësisht:
-2 javë pas injeksionit të 2-të për vaksinat me injeksion të dyfishtë (Pfizer, Moderna, AstraZeneca);
– 4 javë pas injeksionit për vaksinat me një injeksion të vetëm (Johnson & Johnson);
– 2 javë pas injeksionit për vaksina te njerëzit me histori të Covid-19 (kërkohet vetëm 1 injeksion).
Ndërsa për shqiptarët që nuk janë vaksinuar, masat kufizuese vazhdojnë të mbeten në fuqi. Qytetarët e pavaksinuar, duhet të udhëtojnë vetëm për arsye esenciale (për të shkuar të bashkëshorti/bashkëshortja, apo prindërit të udhëtojnë tek fëmijët me leje qëndrimi në Francë, e studentët për motive studimi) dhe duhet të kenë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë.
Franca e konsideron Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë portokalli, domethënë me rrezik të ulët infektimi. Në javët e fundit Shqipëria është renditur vendi i dytë në Europë, krah Islandës, për numrin e ulët të infektimeve.
Një ditë më parë u arrit marrëveshja e parë mes Shqipërisë dhe një vendi anëtar të BE për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të vaksinimit kundër COVID. Shqipëria dhe Hungaria, vendosën njohjen e të gjitha llojeve të vaksinave dhe të hapin kufijtë për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit.
Po dje edhe Spanja vendosi të hapë kufijtë për të gjithë turistët që vijnë nga vendet jashtë BE, përfshirë edhe Shqipërinë, me kushtin që çdo udhëtar duhet të jetë i pajisur me certifikatën e vaksinimit, nga vaksinat e miratuar nga EMA ose nga OBSH. Një ndër vaksinat e miratuara për përdorim urgjent nga OBSH është edhe ajo kineze, Sinovac e cila po përdoret në vendin tonë për vaksinimin masiv.