Në komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u miratuan sot tre projektligje me fokus biznesin, të cilat janë në përputhje me direktivat e BE-së, dhe që vijnë si domosdoshmëri për procesin e anëtarësimit, pjesë e Kapitullit 6.
Projektligji “Për Statutin e Shoqërive Evropiane” mori dritën jeshile në Komision dhe, sipas zëvendësministrit për Ekonominë, Enkelejd Musabelliu, i hap rrugën bizneseve shqiptare që në partneritet me kompani nga vende të BE-së të krijojnë ‘shoqëri evropiane’, dhe të operojnë në të gjitha shtetet e BE-së, pa qenë nevoja për të krijuar filiale në shtetet ku punojnë.
“U mundëson kompanive të operojnë me një identitet të vetëm juridik në tregun evropian. Shoqëria evropiane nuk është një lloj i ri i biznesi dhe as nuk zëvendëson shoqëritë aksionare ekzistuese, ajo është një shoqëri aksionare me statut evropian, e cila u jep kompanive që plotësojnë kushtet, mundësinë që të organizohen sipas një modeli të njohur në të gjithë Bashkimin Evropian. Një kompani shqiptare që operon në sektorin e energjisë ose teknologjisë dhe që bashkëpunon prej vitesh me një kompani italiane dhe një kompani tjetër gjermane, në kushtet aktuale të 3 këto kompani do duhet të funksionojnë sipas legjislacionit të shtetit të vetë, çka e bën dhe bashkëpunimin të vështirë. Me miratimin e këtij projektligji dhe me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, këto 3 kompani mund të regjistrohen së bashku, qoftë si holding, në një entit të ri, të njohur si shoqëri evropiane, çka ju mundëson atyre operimin më të lehtë në tregun evropian. Mund të operojnë në disa shtete të Bashkimit Evropian pa pasur nevojë që të hapë degë, përfaqësi apo me radhë në secilin vend ku ajo operon e askush nuk mund ta detyrojë një aksioner që të tërhiqet si aksioner vetëm sepse ndryshoi selia e shoqërisë”, tha zv.ministri Musabelliu.
Projektligji tjetër që u miratua ishte “Për grupimet ekonomike me interes evropian”, që gjithashtu në fokus ka lehtësimin e shkëmbimeve ekonomike apo tregtare mes kompanive shqiptare dhe atyre evropiane.
“Disa kompani në disa vende të Bashkimit Evropian që janë pjesë e të njëjtit zinxhir vlere dhe operojnë me prodhimin, lëndën e parë, produktin final apo transportin, logjistikën, distribucionin e këtij produkti, për të thelluar dhe për të forcuar bashkëpunimin mes tyre dhe për ta institucionalizuar këtë bashkëpunim, nuk ka nevojë të krijojnë një shoqëri të re, por mund të krijojnë një grupim ekonomik me interes evropian, i cili nuk ka kosto shtesë për anëtarët, ka një administratë qendrore që koordinon aktivitetin ekonomik të të gjithë kompanive në të gjitha vendet ku operojnë. Ky lloj bashkëpunimi ju mundëson këtyre kompanive ë lehtësira të mëdha në aplikimin dhe tërheqjen e fondeve të Bashkimit Evropian për sektorin privat të cilat nuk kalojnë përmes shteteve anëtare por aplikohet dhe përfitojnë direkt ë nga Komisioni Evropian”, tha zëvendësministri Musabelliu.
Ndërsa nisma e tretë ligjore “Për Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit” u prezantua nga deputetja e PS, Romina Kuko dhe në fokus ka bashkimin e prodhues.
“Pesë apo më shumë persona fizik apo juridikë, të cilët nga të paktën dy shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian bashkohen dhe krijojnë një shoqëri të vetme me një identitet të vetëm juridik të njohur në gjithë tregun e brendshëm. Pra nuk po flasim për dega e njërit brenda degës së tjetrit, por një kontratë bashkëpunimi e përbashkët. E kemi parë të funksionojë si shembull, vitin e kaluar tre shoqëri evropiane bashkëpunimi nga Spanja, Danimarka dhe Belgjika zgjodhën pikërisht këtë formë për të zhvilluar bashkë projekte diellore dhe eolike nëpër Evropë. Secila mbeti sigurisht e pavarur në vendin e vetë, por bashkë fituan”, tha Kuko.
E njëjtë do të jetë edhe formula e bashkëpunimit të shoqërive shqiptare me ato të huaja.
Këto nisma do të kalojnë edhe në komisionet e tjera parlamentare dhe më pas do të marrin vulën përfundimtare në seancë në Kuvend.










