Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, por që duan të japin kontributin e tyre pa u kthyer në Shqipëri, do t’u krijohet mundësia që ta realizojnë këtë duke punuar nga shtëpia, në shtetin ku jetojnë.
Kjo u bë me dije sot nga kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me disa prej aplikantëve në nismën ‘Gati për Shqipërinë’, ku tha se po mendohet për të hapur një segment të administratës për nëpunës publik dixhital, që punojnë nga shtëpia
“Ne jemi duke menduar për një reformë e cila të na japë mundësi që ata që duan të kontribuojnë në mënyrë sistematike, jo thjeshtë për një projekt, por nuk duan të vijën në Shqipëri, të hapim një segment të administratës sonë të lartë për nëpunës publik dixhital, që punojnë nga shtëpia”, tha Rama.
Qindra të rinj i janë bashkuar tashmë nismës ‘Gati për Shqipërinë’, të shpallur nga kryeministri Edi Rama, të cilët do të kontribuojnë për vendin për mandatin e tretë qeverisës.
Aplikimet në platformën “Gati për Shqipërinë” vijojnë dhe është në dispozicion të të gjithë atyre që kanë studiuar me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri.