Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e pestë të bashkëbisedimit me një grup tjetër aplikantësh të nismës “Gati për Shqipërinë”. Kryeministri theksoi se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”. Ndërkohë, tha ai, “aplikimet vazhdojnë të priten në adresën [email protected]”. “Unë jam me ministren e Drejtësisë, me zv/ministren e Brendshme, me Kryetarin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në parlament me zv/ministren e Drejtësisë dhe zv/ministren e Arsimit. Pas këtij takimi do të keni një takim të dytë më të ngushtë dhe më të gjerë me ministrat përkatës”, tha Rama në fillim të bashkëbisedimit. Aplikantja e parë, një studente e doktoraturës në të drejtë ndërkombërtare në Paris tha se prej dy vitesh është aktiviste e partisë së Presidentit Macron dhe mund të japi ide dhe bashkëpunim frytdhënës mes qeverisë sonë dhe kësaj partie. Një tjetër aplikante tha se studimet universitare i ka kryer në Frankfurt dhe ka punuar në një radiotelevizion gjerman. “Dëshiroj të marr pjesë në programet e turizmit”, tha ajo. Aplikantja tjetër tha se është diplomuar si juriste nga universiteti i Tiranës dhe ai i Nju Jorkut në të drejtën ndërkombëtare speciale. “Jam specializuar në luftën kundër korrupsionit, antitrafikut, antiterrorizmit. Jam e hapur për bashkëpunim nëse kualifikimet e mia përshtaten me kërkesat që ju keni për projekte të ndryshme”, tha ajo. Në prezantimin e saj, një studente doktorature në Universitetin e Vjenës në Austri tha se momentalisht është në pritje të mbrojtjes të temës dhe ka punuar pranë Misionit të Republikës së Shqipërisë në organizata ndërkombëtare në Vjenë. “Arsyeja pse jam këtu sot është për të shprehur interesin për t’u përfshirë në përfaqësimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë në organizata ndërkombëtare në Vjenë”, tha ajo.
Një tjetër e re tha se ka mbaruar në universitetin e Krakovës në Rumani dhe momentalisht është pjesë e një projekti të financuar nga BE që ka si qëllim kryresor përmirësimin e aksesit në tregun e punës. “Karriera ime akademike është akoma në hapat e parë, por arsyeja pse unë nisa këtë email që ju drejtova kësaj nisme kaq revolucionare, sipas mendimit tim, është pikërisht dëshira konstante për të kontribuar në vendin tim”, tha ajo. Njëri prej aplkantëve që jetonte prej 18 viteve në Trieste, Itali, tha se ka kryer studimet universitare në shkenca politike ndërkombëtare dhe ka pasur eksperienca në sektorin bankar, në sektorin aeroportual dhe në sektorin publik. “Kam marrë pjesë në një projket në bashkinë e Triestes për mbrojtjen e të dhënave personale. Mendoj se mund të implementohet edhe më gjerë në gjithë administratën publike shqiptare”, tha ai. “Jam Rexhina, kam mbaruar shkenca politike në Universitetin e Tiranës. Nga viti 2009 kam qenë anëtare aktive e një OJQ si në Shqipëri dhe në selinë e saj në Bruksel. Më pas jam zgjedhur zv/presidente për komunikimin. Në 2020 jam zgjedhur si presidentja ndërkombëtare e të rinjve të kësaj organizate që ka në fokus të saj çështjet e sigurisë, marrëdhëniet transatlantike. Jam e hapur për bashkëpunim në fushën e sigurisë, mbrojtjes si dhe e shoh veten edhe në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme”. Një tjetër aplikant në këtë nismë tha se ka mbaruar studiuar pranë universitetit të Bolonjës për jurist. “Dëshira ime është të bashkëpunoj me ju si i jashtëm në të drejtën europiane në specifikë për fondet strukturale europiane”, tha ai. Diplomacia është fusha ku dua të jap kontributin tim, u shpreh një tjetër aplikante. Ajo tha se vetëm disa ditë më parë përfaqësoi Shqipërinë në forumin e Bratislavës si pjesë e programit për liderat e rinj dhe demokratizimin. Fusha ku kërkoi të kontribuonte është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
“Kam kryer studimet bachelor në Akademinë e Arteve në violonçel dhe master në kinema media. Kam punuar rreth 1 vit në departamentin kulturor të bashkisë së Torinos si kritikë videoprocesesh dhe arkiviste e disa eventesh kulturore. Jam e gatshme të kthehem në Tiranë ose të kontribuojë online nga këtu për kulturën”, tha një tjetër e re. Entela Çukani me titullin Profesor tha se jeton prej 20 vitesh në Itali ku kam mbaruar studimet në drejtësi dhe kërkon të japë kontributin në këtë fushë. “Jam Albiona, kam studiuar 1 vit në Francë dhe 7 vite në Kinë. Studimet i kam kryer në ekonomi ku kam fituar bursë të plotë dhe jam diplomuar me statusin e studentit ekselent. Jam angazhuar me punë vullnetare në Kinë, Vietnam dhe Madagaskar. Edhe pse kam marrë oferta shumë të mira pune në Kinë besoj se me njohuritë që kam mbi politikën kineze dhe ato të vendeve aziatike si dhe me vullnetin e fort për të qëndruar në Shqipëri dhe për t’u bërë pjesë e diplomacisë tonë mendoj se jam një aset për diplomacinë tonë në marrëdhënie me Kinën dhe me vendet aziatike”, tha një aplikante. Një tjetër i ri u shpreh se jeton në Itali dhe ka punuar dhe studiuar në fushën e turizmit. “Dua të kontribuojë në fushën e turizmit me kontaktet shumë të mira që kam me konsullatat e Austrisë, Norvegjisë e Suedisë”, tha ai. Në prezantimin e saj njëra prej aplikanteve tha se jeton në Itali prej 20 vitesh dhe është diplomuar në të drejtën civile. “Jam e hapur të bashkëpunoj me çfarëdolloj mënyre e kontributit për vendin tim”, tha ajo. “Kam mbaruar studimet për drejtësi në Londër dhe dua të jap kontributin në këtë fushë”, u shpreh një tjetër. Edlira Kola tha se jeton në Romë ku ka mbaruar në shkenca politike në Universitetin La Sapienza. “Nga viti 2016 kam filluar të bashkëpunoj me Ministrinë e Brendshme italiane si konsulente e jashtme. Një nga idetë e mira është t’i jap zë më shumë gjeneratës së dytë të shqiptarëve në Itali por edhe bashkëpunimit me ambasadën shqiptare për faktin se prej shumë vitesh njoh administratën italiane dhe territorin dhe popullsinë italiane”, tha ajo.
Ilir Mirashi me doktoraturë në universitetin e Spanjës në të drejtën penale dhe procedurën penale tha se punon në aktualisht në kompani private në fushën e transportit detar, jep leksione në Amerikën Latine dhe bashkëpunon me universitetin e Salamandrës në fushën akademike. “Jam i kënaqur të jap kontributin tim në fushën e sigurisë kibernetike”, tha ai. “Jam 25 vjeç, jetoj në Genova të Italisë. Jam diplomuar në shkurt 2021 me rezultate maksimale me medalje të artë. Jam pjesë bashkë me universitetin e Genovas në dy projekte që synojnë përmirësimin e shërbimeve diplomatike. Shpreh gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha nivelet e diplomacisë shqiptare në distancë apo në prezencë”, tha ai. Një tjetër aplikant me gradën Doktor tha se ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë për master në shkenca ligjore pranë La Sapienza dhe kërkon të japë kontributin në këtë fushë. “Kam studiuar në universitetin e Bostonit për shkenca politike. Jam angazhuar në dy fushata elektorale për të dyja partitë këtu. Kam përfunduar një program në Londër. Dyert i kam të hapura si në SHBA edhe në Angli, por do të doja që mundësitë që i kisha jashtë t’i gjeja në vendin tim”, tha një tjetër. Në përfundim Rama falënderoi aplikantët për interesin e treguar. “Shumë faleminderit dhe çdo të mirë për të gjithë ju dhe familjet tuaja dhe për kë ju do zemra, ja keni treguar apo jo prindërve kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka ta keni mirë atë për të cilin ju rreh zemra kur e mendoni”, tha Rama.