Gazetarja shqiptare në Bruksel, Erisa Zykaj foli për negociatat me Bashkimin Europian për ABC News.
Zykaj tha se tashmë pothuajse të gjitha vendet skeptike kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për Shqipërinë.
“Ka një lajm të madh për vendin, pasi është krijuar kthesa që pritej për më shumë se një vit, që prej vendimit zyrtar për marrëveshjen politike të marsit 2020, në bazë të të cilit vendet anëtare të BE morën vendimin që të hapet rruga për hapje të negociatave për Shqipërinë dhe RMV”, tha gazetarja Erisa Zykaj.
Ajo gjithashtu theksoi se vendet skeptike e kanë parë më të arsyeshme që problemet të trajtohen gjatë negociatave dhe tashmë sipas tyre është koha që t’i jepet fund zhgënjimit dhe plogështisë së krijuar në Ballkan.
“Jo vetëm qeveria Holandeze ka bërë publike qëndrimin e saj pozitiv për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit që shënohen me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri, por tashmë kemi pothuajse të gjitha vendet të ashtëquajtura skeptike, që në fakt janë realiste për vlerësimin e reformave në Shqipëri, krahasuar me Komisionin Europian që kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për Shqipërinë.
Ky është një lajm i madh për vendin, pasi është krijuar kthesa që pritej për më shumë se një vit, që prej vendimit zyrtar për marrëveshjen politike të marsit 2020, në bazë të të cilit vendet anëtare të BE morën vendimin që të hapet rruga për hapje të negociatave për Shqipërinë dhe RMV.
Këto shtete e kanë bërë ndryshimin për dy arsye kryesore, e para lidhet me faktin që të gjitha pavarësisht se theksojnë se ka probleme me Shqipërinë, por konsiderojnë që është më e volishtme që problemet të trajtohen gjatë negociatave dhe së dyti bëhet fjalë për një qasje gjeopolitike të BE-së.
Tashmë e gjithë lodhja e pandemisë dhe gjithë bllokimi që ishte kritikuar në politikën e zgjerimit që prej vitit 2020 ka krijuar një plogështi në Ballkan. Shtetet anëtare janë të vetëdijshme se është koha për të thyer këtë plogështi dhe zhgënjim, pra janë të vendosura që duhet dhënë një sinjal i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe zgjidhja në këtë rast për Shqipërinë është njohja e problemeve.
Por dua të them që etapa e dytë e rëndësishme është se kemi të bëjmë vetëm me vendimin qeverive të këtyre shteteve të ashtuquajtura skeptike. Etapa e dytë me rëndësi është që këto vendime duhet të kalojnë nga Parlamente përkatëse dhe këto vendime do të kalojnë vetëm javën e ardhshme sepse vende si Holanda, Danimarka , Gjermania, Franca apo Spanja kanë një politikë të tillë që debatojnë me parlamentet e tyre 1 javë para se të mbahet takimi i Ministrave të Çështjeve Europiane. Pra lajmi i mirë është që vendet skeptike për Shqipërinë kanë kthyer kursin dhe kanë një qasje pozitive”, u shpreh gazetarja.