Nga Alfred Peza/ E vetmja hallkë e sistemit të ri të drejtësisë që po çalon, duke mos dhënë shenjat se do ngjitet shpejt në lartësinë e pritshmërive publike dhe përcaktimit kushtetues, është ajo ku Presidenti ka patur fuqinë bashkëvendimarrëse përgjatë procesit të ringritjes. Kjo është parë në vendimet e mara deri tani, ku në vend të qartësimit të kufirit mes pushteteve dhe institucioneve, ka ndodhur e kundërta.
Është fjala për Gjykatën Kushtetuese, e cila teorikisht ka për detyrë që të zgjidhë mosmarrëveshjet përmes interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, por praktikisht por mban qëndrime “as mish e as peshk” duke mundësuar përsëritjen e tyre në të ardhmen. Një gjykatë e tillë duhet të thotë fjalën e fundit dhe përmes kazuseve të krijuara nga vendimarrja e saj, të parandalojë përsëritjen e këtyre lloj mosmarrëveshjesh në të ardhmen.
Vendimi më i fundit që e shpreh më së mirë këtë gjendje, është ai për pezullimin e gjykimit rreth legjitimitetit të zgjedhjeve të përgjithëshme lokale të 30 qershorit 2019, deri në marrjen e opinionit final nga Komisioni i Venecias. Pyetja që po shtrojnë të gjithë është: Për çfarë ishte e nevojshme të merej për herë të dytë, një opinion që është dhënë më parë për këtë çështje, atëherë kur Parlamenti ndërmori nismën për shkarkimin e Presidentit të Republikës?!
Mjaftonte që ta lexonin këtë opinionin të shprehur qartësisht, e të bërë publik herët, për ti kursyer kohën edhe vetes por edhe Komisionit Europian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit. Sepse është e qartë se në përgjigjen që do marin, ata do përsërisin të njëjtin opinion, që e kanë dhënë njëherë më parë:
“Presidenti ka tejkaluar kopetencat e tij kushtetuese pasi anullimi i zgjedhjeve është i mundshëm vetëm në situatat të cilat plotësojnë kërkesën për deklarimin e një gjendje të emergjencës. Megjithatë, rregullat e aplikueshme kushtetuese për situatat e emergjencës nuk janë ndjekur në këtë rast. Nuk ka patur as konsensues politik, i cili do kishte lejuar përcaktimin e një baze ligjore ad hoc”.
Mbi bazën e këtij interpretimi të Komisionit të Venecias, është shumë e qartë se Ilir Meta nuk ka patur asnjë bazë kushtetuese, ligjore dhe politike që të çdekretonte një proces zgjedhor që e kishte dekretuar vetë. E aq më pak për të dekretuar më pas, datën 13 tetor 2019 për zhvillimin e tyre, vendim ky që nuk u zbatua as nga “Opozita e Bashkuar” dhe as nga partia e tij familjare LSI.
Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë më parë, shprehet shumë qartë se “bojkoti i zgjedhjeve (të 30 qershorit) nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht, çdo palë zgjedhje” që do të zhvilloheshin në të ardhmen jo vetëm në Shqipëri.
Ky precedent nëse do lejohej nga ndërkombëtarët, mund të përhapej me shpejtësi për tu ndjekur edhe nga opozitat në vendet e tjera, të cilat do e kalonin kësisoj sistemin demokratik në kolaps. Siç shihet Komisioni i Venecias është shprehur shumë qartë pro zhvillimit të zgjedhjeve lokale të dy viteve më parë në Shqipëri, edhe në kushtet e bojkotit të tyre nga ana e opozitës, duke e legjitimuar këtë proces.
Duke qenë se ky proces elektoral është totalisht legjitim, edhe të zgjedhurit aktualë vendorë që dolën prej tij, janë plotësisht legjitimë. Për rrjedhojë, të gjithë Kryetarët e Bashkive dhe këshilltarët lokalë që u zgjodhën me votë nga ky proces dhe pushteti që ato po ushtrojnë ndërkohë, janë legjitime.
Atëherë çfarë ka këtu për të mos qenë e qartë edhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për tiu drejtuar sërisht Komisionit të Venecias, për të marë edhe njëherë një opinion që është shprehur qartësisht më parë?! Një pjesë e trupës së kësaj gjykate, që ndodhen në detyrë sepse janë zgjedhur nga Ilir Meta, duket se kërkojnë të masin forcat dhe të fitojnë kohë për diçka tjetër më të rëndësishme.
Radhën për shqyrtim pas kësaj nga kjo gjykatë, e ka vendimi i Parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, i cili përbën gurin e madh të provës për të. Gjykata Kushtetuese nuk është ngritur ende në këmbë, për të ecur me shpejtësi përpara, drejt përballimit me profesionalizëm e kurajo të sfidave që shqiptarët presin nga sistemi i ri drejtësisë. Me vendimet e para që ka marë, ajo po tregon se nuk e ka ende guximin që të ngrihet në lartësinë e institucionit kushtetues, të çliruar nga diktati i dëshirave të Ilir Metës!