Nga Plator Nesturi
Zyrtarisht kemi parlament të ri. KQZ ka çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit ku pas një maratone ankesash e gjykimesh deri në Kolegjin Zgjedhor, shifrat kanë mbetur të fiksuara që më parë ku PS konfirmon 74 mandate, PD 59, LSI që zbret në 4 mandate dhe PSD në 3 mandate. Celibashi, si Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur listën e 140 deputetëve të rinj në 12 qarqe të cilët do të bëjnë betimin e tyre në javën e parë të shtatorit. Deri këtu jemi në kuadrin e procedurës së zakonshme, pasi dihej prej kohësh si lista e shpallur ashtu dhe shpërndarja e mandative. Procesi i ankimimit nuk dha asnjë element të bindshëm juririk për të vënë në diskutim si zgjedhjet për mënyrën si u menaxhuan, ashtu dhe për rezultatin në kutitë e votimit.
Gjithësesi, nga ana e një pjese të opozitës, dhe pikërisht nga PD, pati deklarata deri në nivele të larta të saj se nuk do të njohin rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Pikërisht kur këto rezultate shpallen zyrtarisht nga KQZ, nga selia blu ka veçse heshtje. Nuk është paradoksi i vetëm në muajt e fundit në qëndrimet e PD, duke filluar që nga ambiguiteti se zgjedhjet nuk do të njihen por do të shkojmë si deputetë në parlemnet në shtator. Po ashtu si deklaratat për lepurin e në kapelen e magjistarit ku për masakrën zgjedhore nuk paraqitet dot një provë që paska ndikuar në tjetërsim rezultati. Të gjitha këto qëndrime kanë shërbyer thjesht për të mbajtur të karikuar moralin e demokratëve të thjeshtë të demoralizuar nga humbja si dhe sedrën e vrarë të kryetarit në miklimin se nuk është humbës për të marrë dhe një mandat të tretë në krye të PD. Lidhur me këtë të fundit, jo pa qëllim u vu në funksion të garës së kryetarit gjithë struktura e partisë që u benë koracë mbrojtëse nga çdo kritikë e rivalëve ndaj Bashës dhe e mbajtën leksikun postzgjedhor tek opsioni i masakrës elektorale.
Tashmë misioni ka mbaruar. Basha është tre herë kryetar ndërsa deputetët që do përfitojnë mandatin po urojnë njëri tjetrin në heshtje dhe po blejnë kostumet e reja për në shtator. Të gjithë mbeten të kënaqur. Ndërsa demokratët e thjeshtë le të tresin masakrën zgjedhore./ fjala.al