Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar ndaj Myslim Murrizit dhe vendimit të BE për mos-çeljen e negociatave me Shqipërinë duke iu referuar vetos që Bullgaria vuri ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla e vuri theksin te vendimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian për të mos përcaktuar një datë për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke thënë tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë e familjes europiane.

Ndër të tjera, tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë pas zgjedhjeve të ardhshme në Bullgari.

Balla: Të mos bëjmë sikur nuk e dimë që ka raste që janë raportuar në prokurori dhe prokuroria nuk ka vepruar siç duhet dhe në fund të fundit, edhe drejtësia duhet të bëjë punën e vet. Murrizi ngriti disa çështje që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte.

Nuk mund të rri pa thënë një fjalë për datën e Konferencës ndërqeveritare. Besoj që këtu duhet të jemi shumë të qartë, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për tu mbajtur ky event formal i bisedimeve për anëtarësim kur tashmë kemi të gjitha vendet anëtare. Edhe vlerësimi i fillim javës nga asambleja lidhur me procesin zgjedhor të 25 prillit që vlerëson që procesi zgjedhor ishte më i miri që është mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, tregon që jemi në kushtet e pritshmërive dhe të mos harrojmë që BE është institucion me vendimmarrje tepër të vështirë. Nëse në këtë sallë do të duhet të kishim vendime unanime, nuk do të kishim kurrë.

Edhe në një familje me 27 anëtarë, është e pamundur që të gjenden votues unanim. Shpresa jonë është që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ta gjejnë një zgjidhje për këtë çështje derisa Bullgaria të krijojë qeverinë e re nga zgjedhjet e meskorrikut që po vjen. Duhet të kemi vëmendje për të çuar përpara reformat ë rëndësishme.

Kështu që mungesa e vendimmarrjes nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe BE duhet të ndryshojë sistemin vendimmarrës ose s’duhet të marrë asnjëherë vendime. Reforma në drejtësi është më e thella që ka qenë ndonjëherë në Shqipëri.

PD është kundërshtari ynë dhe nuk merremi kurrë me problemet brenda PD dhe nuk ka pse të jetë pjesë e diskutimeve të sallës brenda Kuvendit të Shqipërisë. Nuk besoj që data 1 është seanca e fundit sepse Kuvendi dhe juve kolegë të opozitës parlamentare keni meritë të veçantë për mbështetjes që i keni dhënë legjislacionit për çuarjen para të Reformës në Drejtësi.

Mos përmendni emra sepse gjyqtarët dhe prokurorët janë të pavarur dhe ne politikanët duhet të heqim dorë nga cdo lloj qasje ndaj tyre se kemi autorizuar me ligj institucione që i vlerësojnë.