Emina Çunmulaj, e cila po shijon pushimet me familjen e miqtë e saj, ka udhëtuar sëfundmi drejt Malit të Zi me një jaht luksoz. Sot, modelja 36 vjeçare ka mbërritur në Ulqin, ku ka zbuluar se aty nuk mund të ankorojë mjetin detar.
E revoltuar, Emina ka reaguar përmes disa statuseve në InstaStory. Ajo shkruan se në Ulqini, i cili është një qytet me numër të madh shqiptarësh nuk lejohet të ankorohen jahtet e mëdhenj, ndërkohë që në vendet e tjera të Malit të Zi ky rregull nuk vlen. Ylli i pasarelave thekson se ky është një diskriminim për Ulqinin i cili do të mund të zhvillohej shumë më shumë duke shfrytëzuar maksimalisht vijën e tij bregdetare.
“A e keni pyetur veten pse ka kaq shumë jahte të mëdhenj në gjithë vijën bregdetare të Malit të Zi përveçse në Ulqin? Tani mësova se agjencitë ju thonë kapitenëve se nuk lejohet që të ankorojnë në Ulqin, nuk kanë leje, kështu faji i kujt është ky? A është ky një ligj apo agjencitë e jahteve kanë futur në listë të zezë Ulqinin? Do arrij në krye të kësaj çështje, sepse nuk është e drejtë dhe nuk është korrekte. Pse nuk mund ta ankoroj jahtin tim në Ulqin? Dhe për ju që thoni ‘wow çfarë problemesh ke’, më besoni ky është problemi juaj më shumë se i imi. Unë jam këtu për 1, 2 muaj dhe pastaj vazhdoj jetoj jetën time.. por për dashurinë që kam për vendin tim dhe për njerëzit e mi nuk do të hesht. Nëse ju heshtni dhe nuk flisni do të thotë se gjithë bizneset e turizmit do të shkojnë në bregdetin verior, ndërsa ju në Ulqin nuk do të merrni asgjë. Kështu që vazhdoni heshtni dhe qëndroni siç keni qenë 20 vite më parë”, shkruan Emina.