Autoritetet greke kanë lëshuar alarmin në disa zona të vendit, ku temperaturat këtë të shtunë parashikohet që të shkojnë deri në 43 gradë celcius.

Zonat që do të preken janë ato qendrore, përfshirë këtu kryeqytetin Athinë. Të premten në Korfuz, Konicë, Qefaloni, Trikalla, Livadhja dhe qytete të tjera termometri shënoi 40 gradë celcius.

Autoritetet thanë se kanë vënë në dispozicion të qytetarëve në nevojë dhe për ata që nuk kanë mundësi të përballojnë kondicionerin salla të mëdha, ku do të ofrohet edhe ujë dhe ushqim i freskët.

Ministria e Shëndetësisë këshilloi qytetarët që të shmangin lëvizjet në oraret e pikut të vapës, sidomos nga ora 10 deri në orën 16:00, ndërsa Ministria e Punës tha se oraret zyrtare të punës duhet të ndryshohen, edhe në sektorët privatë si ndërtimi apo bujqësia.

Një pjesë e madhe e grekëve i janë drejtuar bregdetit për t’u shpëtuar temperaturave të lartë, ndërkohë që meteorologët parashikojnë që java e ardhshme të nisë me një ulje të lehtë, por të përkohshme të temperaturave.