Nga Alfred Peza/
Në sport sado i zoti që të jesh, mosha të limiton duke të detyruar që të “varësh këpucët në gozhdë”, atëherë kur disa njerëz mund të nisin për herë të parë karrierën politike. Sepse ndryshe nga sporti, politika kërkon edhe pjekuri e eksperiencë jete, për tu vënë në shërbim të shoqërisë. Megjithëse nuk ka një rregull strikt, mosha e udhëheqësve politikë varion në përpjestim me vitalitetin e tyre, për të dhënë më të mirën për vendin.
Nga viti 1912 e deri më sot, Shqipëria ka patur një raport shumë interesant, mes moshës së liderëve politikë dhe pushtetit që ata kanë zotëruar. Momenti i ikjes së Gramoz Ruçit nga politika aktive në buzë të 70-tave dhe kur përfundoi mandatin e tij të plotë si Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, përkon me debatin për ikjen ose jo edhe të Sali Berishës nga skena e madhe aktive e politikës, pas shpalljes së tij non grata nga SHBA.
Pyetja që shtrohet është se përse edhe në Shqipëri, nuk ka ende një kulturë, që do ti ndihmonte vetë liderët për ta kuptuar momentin e ikjes së tyre? Përse ka ende udhëheqës në Shqipëri, që vijojnë të zvarriten pas mandatit të deputetit edhe pasi kanë deklaruar me gojën e tyre se do ikin, por në praktikë nuk e bëjnë? Për rrjedhojë, ata jo vetëm që nuk ndihmojnë për krijimin e një tradite shqiptare në këtë drejtim, por e minojnë akoma edhe më tej atë!
Diskutimi bëhet i domosdoshëm për të marë trajtat e një debati publik, pasi Sali Berisha shkoi deri atje, sa “kërcënoi” me rikthim në krye të PD. Megjithëse ka 8 vjet që ka deklaruar ikjen nga kreu i partisë së tij, pavarësisht se është në moshën 77 vjeçare, lideri historik i demokratëve ndryshe nga Gramoz Ruçi, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Sabri Godo, Skënder Gjinushi, Aleksandër Meksi, etj. nuk tërhiqet ende nga politika aktive.
Nëse Sali Berisha do kishte ikur më 2013 kur e premtoi, sot ai do ishte duke gëzuar pleqërinë e ndoshta do mbahej mend me kalimin e kohës, më shumë për të mirat sesa për mëkatet e tij politike. Pasi u shpall “non grata” në vend të ikte nga Grupi Parlamentar i PD për të pastruar veten e familjen e tij biologjike, ai po kërkon të bëjë pis edhe familjen e tij politike!
Sali Berisha është në moshën që kishte Enver Hoxha, kur u nda nga jeta, e për rrjedhojë edhe nga drejtimi me dorë të hekurt të Shqipërisë komuniste. Ahmet Zogu u detyrua të ikte në moshën 44 vjeçare, jo vetëm nga froni i Mbretit, por edhe nga Shqipëria për të mos u rikthyer më kurrë. Një nga rivalë e tij më të mëdhenj Fan Noli, iku 42 vjeç nga jeta aktive politike, për të jetuar në SHBA.
Ismail Qemali u tërhoq nga politika në moshën 70 vjeçare, 2 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Mehmet Shehu, Kryeministri më jetëgjatë në historinë e vendit, u vetëvra në moshën 68 vjeçare për ti hapur rrugën drejt pushtetit Ramiz Alisë që doli nga skena më 1992, 67 vjeç. Ndërsa Fatos Nano, pas rrëzimit të komunizmit, ishte i pari ndër dy liderët kryesorë në vend, që u largua me vullnet të lirë nga skena në moshën 53 vjeçare.
Historia e politikës botërore është e mbushur me shembuj të panumërt, që dëshmon se ka një raport shumë interesant mes moshës, pushtetit e autoritetit të udhëheqësve. Presidenti i SHBA John Kennedy ishte 46 vjeç kur ia ndërprenë me atentat karrierën, sikundër një tjetër lider i famshëm, Napoleon Bonaparti u largua nga skena në moshën 51 vjeçare. Mahatir Muhamad dha dorëheqjen si Kryeministër i Malajzisë, vitin e shkuar në moshën… 95 vjeçare. Ndërsa Joe Biden është 78 vjeç e po habit me vitalitetin e tij, në muajt e parë të mandatit presidencial në SHBA.
Ndryshe nga shumë udhëheqës në moshë të thyer që nuk tërhiqen për arsye nga më të ndryshmet, problemi i Sali Berishës është më specifik, edhe në raport me ta. Ai po dëshmon se nuk është i lirë që të iki nga politika, për tu përballur si qytetar i thjeshtë me drejtësinë e re. SHBA e ka akuzuar për “akte korrupsioni dhe minim të demokracisë”, ndaj ai po kërkon ta shndërrojë PD, në një bunker mbrojtës për hallin e vet personal. Politika është akt dhe Gramoz Ruçi diti ta bënte atë. Duke dëshmuar se ai e di se në politikë ka një kohë për të hyrë, ka një kohë për të arritur majën dhe një kohë për të dalë nga skena. Ai e bëri nga tribuna e Kongresit të PS, në 30 vjetorin e themelimit të saj, duke dëshmuar se ishte një kohë mëse e mjaftueshme për të dhënë gjithçka mundej. Lum ai që e kupton momentin e tij dhe di të iki si fitues!