Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit e ka nisur sot me shembjen e ndërtimeve pa leje në Durrës. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa publikon një video thotë se fillimisht janë shembur 4 objekte në Kepin e Rodonit.
Sipas tij, kontrolli i territorit do të ngrihet në një tjetër nivel duke përdorur teknologjinë, ndërkohë që janë ashpërsuar ndëshkimet në Kodin Penal për ata që ndërtojnë pa leje duke përfshirë të gjithë zinxhirin ndërtimor.
“#BregdetiYnë – IKMT ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në Durrës. 4 objektet e para u shembën në Kepin e Rodonit. Ky operacion do të zhvendoset më tej pëgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit. Në këto dy javë të para kemi shembur dhjetra objekte pa leje edhe në Ksamil, Shëngjin e Velipojë. Krahas ashpërsimit të Kodit Penal kur është fjala te ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit, ne do ta ngremë një një tjetër nivel kontrollin e territorit duke përdorur teknologjinë më të fundit e jo vetëm, si dhe nuk do të tolerojnë askënd që guxon të zaptojë çdo metër katror tokë kudo qoftë, në bregdet jo e jo, por as në zonat e mbrojtura apo gjetkë”, shprehet ministri Çuçi.
Veç shembjes së dhjetra objekteve IKMT ka vendosur deri më tani 67 milionë lekë të reja gjoba për 44 subjekte. Pritet që këto shifra të rriten teksa operacioni do të shtrihet edhe në zona të tjera të bregdetit. Më pas pastrimi i territorit do të vijojë në zonat e mbrojtura dhe përgjatë akseve kombëtare.