Italia konfirmoi formën e mirë të kohëve të fundit edhe në takimin e parë të Euro 2020. Të kaltrit dominuan Turqinë në “Olimpico”, kundërshtar të cilin e mposhtën 3-0.
Fitore e rëndësishme sa i përket moralit dhe vazhdimësisë, por edhe futboll zbavitës dhe dominues nga kombëtarja e Roberto Mancinit, i cili ia ka dalë të rikthejë entuziazmin te tifozët.
Djemtë e tij luajnë bukur, kanë guxim dhe sulmojnë pafund. Antonio Cassano e cilëson si një revolucionar teknikun e Italisë në bisedat me Bobo Vierin në “Bobo TV”.
“Kemi mbërritur deri këtu falë Roberto Mancinit, kështu që nuk na mbetet veçse ta duartrokasim. Pastaj, nga çerekfinalet e më tej do të reflektojmë, pasi nuk duhet të harrojmë se nga kemi ardhur.
Duhet ta mbajmë lart emrin e Robertos, ai po bën një revolucion. Nuk ka kampionë në skuadër, por po ia del të zhvillojë një revolucion të madh, madje po e bën vetëm, kjo është më e bukura.
Kur trajneri është inteligjent, të gjithë duhet ta ndjekin me vëmendje. Jemi Italia, diçka e keqe mund të ndodhë, mund të eliminohemi që në çerekfinale, por të gjithë duhet të ndjekim Mancinin“, deklaron Cassano.