Dhimbje koke, dhimbje fyti dhe rrjedhje hundësh janë tani simptomat më të zakonshme të raportuara të lidhura me infeksionin Covid në Britani, thonë studiuesit. Prof. Tim Spector, i cili drejton studimin e Zoe Covid Symptom, thotë se infektimi me variantin Delta tek të rinjtë mund të jetë si “më shumë si një ftohje”.
Por megjithëse mund të mos ndihen shumë të sëmurë, ata mund të jenë ngjitës dhe t’i vënë të tjerët në rrezik. Kushdo që mendon se mund të ketë Covid duhet të bëjë një test, raporton BBC. Simptomat klasike të Covid që njerëzit duhet të shikojnë janë: kollë, ethe, humbje e nuhatjes ose shijes.
Por, Prof. Spector thotë se këto tani janë më pak të zakonshme, bazuar në të dhënat që ekipi i Zoe ka marrë nga mijëra njerëz që kanë regjistruar simptomat e tyre në një aplikacion.
“Që nga fillimi i majit, kemi monitoruar simptomat kryesore në përdoruesve të aplikacioneve dhe ato nuk janë të njëjtat me ato që ishin,” thotë ai.
Ndryshimi duket i lidhur me rritjen e variantit Delta, identifikuar fillimisht në Indi dhe tani përbën 90% të rasteve Covid në Mbretërinë e Bashkuar. “Ky variant duket se po funksionon pak më ndryshe”, thotë ai. “Njerëzit mund të mendojnë se sapo kanë marrë një të ftohje dhe vazhdojnë të shkojnë në festa dhe mund ta përhapin virusin në gjashtë njerëz të tjerë,” deklaroi studiuesi.