Prodhimi i vaksinës ruse “Sputnik V” për koronavirusin filloi të Premten në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” në Beograd. Kështu, Serbia bëhet vendi i parë europian, jashtë Rusisë, që prodhon këtë vaksinë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin morën pjesë në ceremony përmes një lidhje video. “Ne duhet të kuptojmë se kontrolli efektiv i koronavirusit është i mundur vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta në një nivel global. Ky është pozicioni që ne mbështesim dhe jemi të hapur për të punuar me të gjithë në fushën e sigurisë epidemiologjike,” tha Vladimir Putin në përshëndetjen e tij.

Vaksina “Sputnik V” fillimisht do të paketohet në Serbi me lëndën e parë që do të mbërrijë nga Rusia, ndërsa deri në fund të vitit do të krijohen kushtet teknologjike për përgatitjen e saj të plotë. Siç është njoftuar, dozat e para të vaksinës nga instituti “Torlak” do të shpërndahen në qendrat e vaksinimit brenda dhjetë ditësh. Qëllimi është të prodhohen 20 milionë doza në vit, shumica e të cilave do të mbulojnë nevojat në Serbi dhe një pjesë e vogël do të eksportohen në vendet fqinje.

Gjithashtu, edhe Argjentina do të fillojë zyrtarisht prodhimin industrial të vaksinës Sputnik V të Rusisë kundër koronavirusit. Vaksina ruse e prodhuar në Argjentinë së pari do të përmbushë nevojat e tyre të brendshme dhe pritet të eksportohet në një fazë të mëvonshme, tha në një deklaratë Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF), i cili po tregton vaksinën.