Nga Alfred Peza/

Rezistenca e elitës së vjetër politike për të bllokuar me çdo mjet e çmim, shkatërrimin e të vjetrit dhe ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë, rezulton se nuk buronte nga një frikë e kotë. Sali Berisha dhe Ilir Meta i nxorrën partitë e tyre familjare jashtë sistemit politik e demokratik të vendit, për tiu bërë bunker hallit të vet personal, duke e ditur se çfarë kanë bërë në këto 30 vjet.

Përmes reagimit të tyrë “in extremis”, vetëm tani po kuptohet më qartë e më mirë, se ata vetë e kanë parandjerë të paktën 2 vjet më parë se çfarë i priste. E nuk janë zhgënjyer, përderisa të gjithë e dinë tashmë, hallin e madh që u ka trokitur në derë. Meqë nuk ia hapën vetë rrugën, me vullnetin e tyre të lirë erës së ndryshimit, tani janë shumë vonë për tu tërhequr me nder e me lavdi!

Ajo që nuk u kuptua atëherë e nuk po kuptohet sa duhet edhe sot, është fakti se bashkë me ndërtimin e institucioneve të drejtësisë së re, ka nisur një epokë e re për shqiptarët. Një periudhë e re historike, që do të ketë në qendër të saj një serial të gjatë ndryshimesh të jashtëzakonshme sasiore e cilësore, në të gjitha fushat e jetës së vendit. E cila do ti japi fund të gjitha ngërçeve tranzitive, duke i hapur rrugën përfundimisht, të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Për të shkuar deri atje shoqëria jonë ka nevojë ti nënshtrohet një katarsisi të thellë e të plotë historik, për të nxjerrë jashtë sistemit drejtues të jetës së vendit, gjithçka të vjetër e të dëmshme që pengon lulëzimin e së resë. Që nga kohërat e Greqisë së lashtë, katarsisi interpretohet si një proces që çon në pastrimin e trupit dhe shpirtit nga gjërat e dëshme, drejt rifillimit të një jete të shëndetëshme cilësisht ndryshe.

Në këtë kuptim edhe shoqëria shqiptare, edhe shteti shqiptar, edhe pushtetet dhe institucionet kryesore kushtetuese të vendit, bashkë me ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë në vend kanë nisur vetëvetiu procesin e një katarsisi të thellë me rëndësi historike për Shqipërinë. Një pastrim jo vetëm përmes procesit të vettingut që nxorri jashtë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, të paaftë e në shërbim të krimit.

Çmontimi përfundimtar dhe pastrimi nga kollona më e kalbur e pushteteve në Shqipëri, shënoi fillimin e fundit të kulturës së pandëshkueshmërisë, ndaj mëkatarëve që nuk po e linin më vendin të ecte me shpejtësinë e duhur përpara. Pas pushtetit gjyqësor, radhën e kishin tjerat, mbi të gjitha pushteti politik i elitës së vjetër, të korruptuar e të kriminalizuar të vendit. Pakkush e vë në dyshim, se ai është edhe përgjegjësi kryesor i të gjitha problemeve të akumuluara, ndaj katarsisi i sistemit politik është më i rëndësishmi në përmbushjen e këtij misioni.

I pari që e mori paralajmërimin më të rëndë që i ka ndodhur ndonjëherë një lideri të rëndësishëm politik jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën e qytetëruar, ishte Sali Berisha. Ai dhe familja e tij, u shpallën “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”. Pas kësaj Parlamenti, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, votoi me një numër rekord votash për shkarkimin e Ilir Metës si President i vendit.

Por nuk përfundon me kaq. Departamenti Amerikan i Shtetit pritet që të shpallë të tjerë politikanë të lartë e të korruptuar, si pjesë të listës së saj të zezë, të cilët pritet ti nënshtrohen hetimit e më pas gjykimit dhe dënimeve të institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë. Një përpjekje e pashembullt për ti bërë katarsisin trupit të sistemit politik të vendit, duke detyruar largimin e elitës së vjetër, të korruptuar e të kriminalizuar nga skena. E duke i hapur rrugën në këtë mënyrë, një brezi të ri politikanësh të papërlyer as me krimet e të kaluarës komuniste, e as nga ato të së tashmes sonë “kapitaliste”.

Ky pastrim i jashtëzakonshëm me siguri që do të ketë efektin e një loje të madhe në formën e gurëve të dominosë, ku do të rrëzohen një e nga një të gjitha pjesët e kalbura të pushteteve, fushave e sektorëve në çdo pore të jetës politiko-shoqërore të vendit. Është një katarsis që do pastrojë shpirtin dhe trupin e një shoqërie, që kërkon të çlirohet sa më parë, nga të gjitha “ndyrësitë” që i kanë mbajtur peng për interesat personale të elitës së vjetër në ikje!