Udhëtarët plotësisht të vaksinuar dhe të autorizuar për të hyrë në Kanada nuk do të qëndrojnë më në karantinë pas mbërritjes së tyre në vend duke nisur nga 6 korriku, njoftoi qeveria duke theksuar se kjo masë nuk do të aplikohej për turistët e huaj.
“Ne do të fillojmë fazën e parë të përpjekjes tonë për të lehtësuar masat në kufi”, theksoi Dominic LeBlanc, ministri i Çështjeve Ndërqeveritare. Masa aplikohet veçanërisht për qytetarët dhe për rezidentët kanadezë të cilët, që prej 6 korrikut, nuk do t’i nënshtrohen më karantinimit për 14 ditë ose të kryejnë një test depistimi për COVID-19 në ditën e tetë të mbërritjes së tyre.
Përveç kësaj, udhëtarëve të përfshirë nuk do t’u kërkohet më të qëndrojnë për tre ditë në një hotel të autorizuar nga qeveria me shpenzimet e tyre, ndërsa presin rezultatet e testit të tyre të depistimit. Sidoqoftë, ata do të duhet t’i nënshtrohen testeve të depistimit para udhëtimit të tyre dhe pas mbërritjes në vend.
Heqja e kërkesës për karantinë në hotel, në fuqi që prej 22 shkurtit për të gjithë udhëtarët që mbërrijnë me avion në Kanada, është pjesë e një plani me faza nga qeveria për të rihapur kufijtë e vendit, të mbyllur që nga fundi i marsit 2020.