“Emetimi e një prerje të re, për herë të parë në vendin tonë, të kartëmonedhës me vlerë 10 mijë lekë, është një kërkesë e zhvillimit ekonomik dhe nevojës së tregut për një prerje më të lartë”.

Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë televizive ku ndër të tjera vuri në dukje se, prerja e re vjen një dekadë e gjysmë pas hedhjes në treg të kartëmonedhës 5 mijë lekë dhe i shërben qytetarëve me paga më të larta, strukturës së çmimeve që kanë ndryshuar, por dhe sistemit bankar për lehtësitë që do të ofrojë kjo prerje në qarkullimin e parave.

“Neve si Bankë Qendrore do të na ndihmonte për të pasur një stok më mirë të menaxhuar por edhe sistemin bankar e ndihmon për të njëjtin qëllim. Ne do të kemi në qarkullim edhe kartëmonedhat ekzistuese me të njëjtin kurs ligjor dhe vlerë, bashkë me kartëmonedhat e reja”- tha Sejko.

Sipas tij, me kohë ne do të tërheqim nga qarkullimi kartëmonedhat ekzistuese.

“Objektivat e BSH-së janë ulja e përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe rritja e pagesave elektronike, por kjo nuk do të thotë që ne të mos përmirësojnë kartëmonedhat në qarkullim. Kartëmonedhat e reja kanë disa elementë sigurie shtesë. Fillimi i vitit që vjen do të ketë në qarkullim edhe dy prerje të reja 500 lekë dhe 2000 lekë”- deklaroi Sejko.

Banka e Shqipërisë prezantoi të martën kartëmonedhën e re të prerjes 10 mijë lekë, që do të marrë zyrtarisht kurs ligjor duke filluar nga data 30 qershor.

Kartëmonedha 10 mijë lekëshe do të ketë të stampuar në të portretin e poetit dhe autorit të vargjeve të Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni). Po më 30 qershor, do të hidhen në qarkullim edhe kartëmonedhat e serisë së re të prerjes 1 mijë lekëshe.