Shtetet e Bashkimit Evropian nga grupi i Vishegradit dhe Austria, kanë kërkuar që edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në Konferencën për të ardhmen e Evropës.

Në një non-paper të përgatitur nga Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Austria, është thënë se “pasi e ardhmja e Evropës është e përbashkët me të ardhmen e partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor, pjesëmarrja e tyre në Konferencën për të ardhmen e Evropës është thelbësore”.

Konferenca për të ardhmen e Evropës nisi punimet më 9 maj, pikërisht në Ditën e Evropës.

Ajo është një nismë e përbashkët e tri institucioneve kryesore të BE-së dhe shteteve anëtare.

Konferenca kryesohet nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli, që veprojnë si pjesëmarrës të barabartë në të.

Qëllimi i kësaj konference – që do të zgjasë rreth një vit e gjysmë – është që përmes konsultimeve publike, ku do të përfshihen edhe qytetarët, shoqëria civile dhe shumë aktorë tjerë, të shpërfaqen ide se si shihet e ardhmja e Bashkimit Evropian.

Vendet që kanë mbështetur këtë non-paper shprehen se inkurajojnë një përfshirje të duhur dhe kreative të partnerëve nga Ballkani Perëndimor në kornizën e konferencës për të ardhmen e Evropës.

“Duke respektuar në tërësi rregullat e procedurës, ne besojmë se përfshirja e palëve të interesuara nga Ballkani Perëndimor është e rëndësishme në të gjitha gjashtë fushat e caktuara në qëndrimet e Këshillit rreth Konferencës për të ardhmen e Evropës, sidomos për ato që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për gjeneratat e reja” thuhet në këtë dokument.

Këto shtete kanë përsëritur po ashtu se është në interes strategjik të Bashkimit Evropian që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në të gjitha projektet e së ardhmes, nga ato për zhvillim të infrastrukturës, lidhjeve më të mira e deri tek interesi strategjik për një siguri më të madhe në Evropë.

Prandaj këto vende përsërisin se qëllimi i integrimit të këtyre vendeve në BE është në interes të vetë BE-së./REL