Mjeku infeksionist Tritan Kalo iu ka kërkuar qytetarëve që të bëjnë kujdes me temperaturat e larta dhe të qëndrojnë të hidratuar. Në një postim në rrjetet sociale, Kalo apelon që të bëhet kujdes edhe me ushqimin në plazhe.
KUJDES sepse infeksionet virale që shkaktojnë gripin e verës, apo ethen 3-5 ditore janë të shpeshta, sidomos në mjediset ku ne pushojmë buzë detit, ngjasuese në mjaft shënja klinike me Sars-Cov2/Covid-19, thekson mjeku Tritan Kalo.
Postimi i plotë: KUJDES në këto ditë ‘ferri’ sepse temperaturat e larta janë po aq jetëlënduese e jetëmarrëse, sa vetë Sars-Cov2/Covid-19, rastet sporadike sëmundjebartëse të së cilës do të enden edhe për shumë e shumë kohë në mes nesh.
KUJDES me hidrimin tuaj të kujdesshëm e sa më të shpeshtë.
KUJDES sepse vera shoqërohet me infeksione të shumta toksiko-alimentare, ndaj mos konsumoni çfarëdo si dhe në kushte higjeno-sanitare të cilat lënë për të dëshiruar.
KUJDES se infeksionet e lëkurës dhe të syve janë të shpeshta nga viruset, bakteriet, mykrat e parazitët e ujrave ku ne lahemi.
KUJDES sepse infeksionet virale që shkaktojnë gripin e verës, apo ethen 3-5 ditore janë të shpeshta, sidomos në mjediset ku ne pushojmë buzë detit, ngjasuese në mjaft shënja klinike me Sars-Cov2/Covid-19.
JO PANIK, por vetëkujdesje si dhe këshillime me mjekun më të afërm.
JO VETMJEKIM, sepse janë Profesionalizmi, Përkushtimi, Puna dhe Pëkujdesja e Personelit Mjeksore ato që dinë të bëjnë diferencën në lidhje me format e shkallët e rëndesës së një infeksioni, apo të rëndimit të një sëmundje tuaj kronike.