Deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha që do rikthehet si lider i PD, zv.ministri i mbrojtjes, Petro Koçi e cilëson si “karagjozllëk”, e ndërsa tha se shembullin më të mirë ia dha Gramoz Ruçi, që u dorëhoq pas një karriere të gjatë politike. I ftuar në studion e Report Tv, Koçi tha se në ndryshim nga Berisha, Ruçi nuk vuri në qendër interesat personale.
“Vendimi i Rucit, pritej, është një zgjedhje e menduar mirë, nuk ishte një zgjedhje emocionale, është një keqardhje e madhe se do na mungoj një nga kolegët më të mirë. Akt burrërie, nuk zgjodhi interes të ngushtë personal, por beson se ka menduar që të japë një shembull, ku askush nuk jep dorëheqjen nga karriera politike dhe shembulli më kuptim plotë është Sali Berisha, ai jo vetëm që nuk ka dhënë shenjë që do japë dorëheqjen si deputet, por dhe hedh sinjale të rikthimit, karagjozllëk, ideja e rikthimit si lider. Është një përvojë politike e jashtëzakonshme”! Ai ka dhënë detaje edhe për kabinetin e ri qeveritar, ku zbuloi se një pjesë e ministrave do të rikonfirmohen.
“Do kemi një qeveri të re, por që do të ruaj në disa dikastere të rëndësishme ato ministra apo ministre që në këto 4 vite kanë qenë në lartësinë e duhur. Megjithatë, mund të ketë ministra që kanë pasur një performancë të kënaqshme, por që nuk mund të jenë, për një strukturë të re, disa nga ministrat aktual do jenë sërish, por në fund e thotë fjalën e fundit Edi Rama”, tha Koçi. Si deputet i qarkut Fier, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Koçi ka komentuar edhe vendimin e Monika Kryemadhit për të marrë mandatin në Fier, për të ‘djegur’ Kejdi Mehmetajn dhe duke futur në Kuvend, Petrit Vasilin. Për Koçin, kjo zgjedhje ishte e detyruar.
“Ka qenë e detyruar të zgjidhte mes 2 kandidatë ve për deputet që ishin pas saj në lista ,ka zgjedhur që në Kuvend të jetë Petrit Vasili. Pritej që të ishte kjo zgjedhja e Kryemadhi”, tha Koçi. Në fund, pyetur se nëse ka një emër për presidentin e ri, ai tha “jo”, megjithatë e përkufizoi presidencën në drejtimin e Ilir Metës, si më të shëmtuarin. “Për mua duhet të ishte një profil euro-atlantik, duhet të jenë një emër që prej vitesh ka dëshmuar që për këtë çështje është i palëkundur, nuk mund të pranojmë një figurë që për një krizë personel të vërë në krizë marrëdhëniet me SHBA dhe NATO dhe të jetë garant i unitetit të Kombit. Presidenca Meta më e shëmtuar se presidenca Berisha”, përfundoi Koçi.