Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Me rastin e marrjes së vendimit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër falenderimi kryetares së parlamentit të Holandës, Khadija Arib. “E dashur Khadija, me kënaqësi të veçantë mora vesh lajmin e gëzuar që Dhoma e Përfaqësuesve e Vendeve të Ulëta i dha dritën jeshile thirrjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Që prej takimit tonë në prill të vitit 2019 e deri më sot bashkëpunimi ynë ka ardhur duke u zgjeruar e fuqizuar”, thuhet në letrën drejtuar kryeparlamentares holandeze.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal”, vijon më tej letra, “ju shpreh mirënjohjen për shqyrtimin me kujdes të arritjeve të Shqipërisë drejt plotësimit të rekomandimeve të Komisionit dhe Këshillit Europian”. Ne, thekson Ruçi, asnjëherë nuk i kemi keqkuptuar rezervat e qeverisë dhe Parlamentit të Vendeve të Ulëta, por i kemi kuptuar ato si një inkurajim për të përmirësuar performancën tonë dhe për t’u bërë një vend sa më i denjë për t’u pranuar në familjen europiane. “Fakti që edhe ju, Komisioni për Çështjet Europiane dhe Dhoma e Përfaqësuesve jeni njohur dhe i keni vlerësuar këto arritje, është një motiv më shumë që Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e Shqipërisë t’i shumëfishojnë përpjekjet për të vazhduar rrugëtimin tonë europian, për të arritur dhe për të qëndruar në krah të shteteve anëtare të BE-së me standarte, dinjitet dhe vlera europiane”, shprehet Ruçi.
Shqipëria, thotë kryeparlamentari Ruçi, do të vazhdojë të avancojë në plotësimin e këtyre standardeve dhe do të bëhet një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian, e kësaj familjeje të madhe politike, kulturore dhe njerëzore.