Në Kongresin e Partisë Socialiste (PS) zhvilluar ditën e sotme, Ministrja Evis Kushi i është drejtuar delegatëve të kongresit me një fjalë përshëndetëse dhe ka ndarë me ta vizionin e PS në fushën e arsimit për mandatin e ri qeverisës dhe “Shqipëria 2030”.
Duke e cilësuar fillimisht arsimin si një prioritet madhor, Znj. Kushi u shpreh se reformat e ndërmarra vitet e fundit bashkë me rezultatet e tyre pozitive vit pas viti kanë treguar se jemi në rrugën e duhur.
Ajo përmend faktin se në fokus të veçantë do të jetë edhe arsimi i lartë dhe shprehet se duhet pranuar që reforma në arsimin e lartë nuk i ka dhënë plotësisht rezultatet e pritshme për një përparim progresiv e të qëndrueshëm. Sipas saj, kjo shikohet qartë edhe nga të dhënat që flasin për të rinjtë e të rejat në ndjekjen e studimeve të larta.
“Një pjesë e tyre, madje shpesh herë më të mirët prej tyre, ata me rezultate te shkëlqyera, duhet të largohen jashtë Shqipërisë për të vazhduar studimet në universitete të huaja. Natyrisht që gjithmonë, edhe kur të jemi në nivele më të larta, do të ketë disa prej studentëve ekselentë që do të vazhdojnë të shkojnë për studime jashtë vendit, në universitetet më prestigjioze evropiane. Por ne nuk mund të pranojmë që kjo të jetë zgjedhje e detyrueshme për ta. Ne nuk mund të pranojmë që ata të mos kenë zgjedhje alternative këtu, në Shqipëri,” – tha Kushi.
Për këtë arsye, ajo nënvizoi se:
“Ne do të punojmë intensivisht dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona për të sjellë këtu përvojat më të mira evropiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence evropiane që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete apo edhe universitet si i tërë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë që të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE”.
Në këtë kuadër, Kushi shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur me 10 milion euro në vit hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre të BE, tërësisht në gjuhën angleze, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ndërkohë, ajo thekson se do të bëhemi shembull për thithjen e fondeve të BE për arsimin dhe kërkimin shkencor, do të përmirësohet cilësia e produktit universitar, sikurse do të vazhdohet pa u ndalur me investimet në kampuset universitare, veçanërisht ai i Universitetit të Tiranës, në përmirësimin e përvojës studentore.
Një pjesë të mirë të fjalës së saj, Kushi ia kushtoi edhe arsimit parauniversitar ku shprehu aspiratën evropiane të PS për të mbështetur nxënësit tanë në përfitimin e aftësive të reja të shekullit të 21, me qëllim final përgatitjen e profesionistit të aftë, punonjësit të suksesshëm dhe qytetarit të denjë të vitit 2030.
Sipas saj, nisja e gjuhës angleze që në klasë të parë shtatorin e ardhshëm, zbatimi i Programit Kombëtar për Programimin (Kodimin), artin dhe zejet, përforcimi i modelit të edukimit fizik dhe klasave sportiv, shtimi i investimeve në infrastrukturën shkollore, rritja profesionale e mësuesve etj., janë disa pikave që do të jenë në fokus të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit parauniversitar.