Gramoz Ruçi tërhiqet përfundimisht nga politika pas 30 viteve në PS, teksa socialistëve i bashkohet vajza e të ndjerit Bashkim Fino, Megi. Më ketë mesazh, të ndryshimit të brezave, largimit të një gjenerate që dha çdo kontribut dhe të një brezi të ri me pritshmëri të mëdha, nisi Kongresi i PS-së i cili zgjati plot 180 minuta.
Në këtë ditë të rëndësishme, që festohet dhe 30-vjetori i kësaj force politike, nuk mungoi Fatos Nano, një nga figurat simbol të socialistëve i cili ishte i bindur se me Edin dhe bekimin e Zotit, socialistët do arrinin shumë, siç ishte dhe mandati i tretë radhazhi, teksa pati edhe një urim për ta “Qëllofshi gjithmonë në shenjë”.
Edi Rama, që vjen në këtë 30-vjetor, si kryeministri i parë në histori që ka arritur që të marrë 3 mandate radhazi, duke lënë gjurmët më të mëdha në historikun e PS-së, ka prezantuar pikat kryesore se si do të jetë qeverisja 2021-2025. Mes fjalëve vlerësuese për rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në suksesin e familjes socialiste për Gramoz Ruçin, pas largimit të tij, kreu i qeverisë e vlerësoi për vendimin për t’u tërhequr nga politika duke e quajtur “art” e pikërisht shpreson që këtë veti ta ketë edhe ai pas disa vitesh. Rama ka njoftuar për krijimin e një institucioni të ri të quajtur Këshillimi Kombëtar për t’u dhënë zë qytetarëve që të shprehen për çështje madhore një herë në vit dhe takimi i parë do të zhvillohet në vjeshtë.
Ai ka paralajmëruar një metamorfozë në administratë, pa ngjyrime politike me studentët më të mirë brenda dhe jashtë vendit, e ndërsa theksoi se do të bëhet një fushatë 1 vjeçare për anëtarësimin e emrave të rinj një PS. Rama tha se kjo forcë politike nuk do të bëhet mbulesë as “për ministra e deputetë apo drejtora e shefa” nëse drejtësia e re do të kërkojë llogari prej tyre.
“Ik sqarohu para drejtësisë së re me avokatin tënd! Ky do të jetë qëndrimi ynë edhe më i prerë”, tha Rama.
Në mbyllje të fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste është ndalur edhe tek shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti i Shtetit. Me nota ironie ai u shpreh se PS nuk ka asnjë interes që të merret me atë që bën PD kundër DASH, referuar këtu gjyqit të hapur nga Berisha kundër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.
“Ç’na intereson ne se di apo nuk di Partia Demokratike ta lidhi kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit. Që të hingëllijë kali kundër narko-shtetit. Edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë, kundër Departamentit të Shtetit. Ç’punë kemi ne? Çfarë do mbjellësh do korrësh”, tha ndër të tjera Rama.
Për 30-vjetor u bënë bashkë edhe të larguar të tjerë. Ruçi falenderoi për kontributin e tij, edhe pse pak ditë më parë e shkakruan, presidentin Ilir Meta. Ndërsa dy nga kritikët më të ashpër të Ramës, Arta Dade dhe Ditmir Bushati ndoqën nga stadiumi gjithë organizimin. Ndër të tjera, ministra të qeverisë si Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Milva Ekonomi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi, Ogerta Manastirliu pasqyruan prioritet kryesore të mandatit të tretë qeverisës.