Kroacia mbështet integrimin e Shqipërisë dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Kryenegociatori për integrimin e Shqipërisë në BE, ambasadori Zef Mazi, gjatë vizitës që po zhvillon në Kroaci u prit në takim dhe bisedoi gjatë me kolegun dhe mikun e tij të vjetër, ambasador Neven Pelicaris, Këshilltari Diplomatik për Politikën e Jashtme i Presidentit të Kroacisë. Biseda u fokusua tek aspekte të ndryshme të procesit të gjate, mjaft të komplikuar të negociatave me BE.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime profesionale për vështirësitë e procesit, për vëmendjen e posaçme dhe të lartë që kërkohet për shumë aspekte, për nevojen e një përgatitje sa më të plotë e të thellë. Ambasadori Paselic risiguroi Kryenegociatorin Mazi për mbështetjen e plotë të gjithë institucioneve të Kroacisë për integrimin e Shqipërisë dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Kryenegociatori Mazi gjithashtu zhvilloi bisedime edhe me Domagoj Hadjykovic, Kryetar i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit kroat.

Biseda u përqendrua tek roli i spikatur dhe i rëndësishëm që luan dimensioni parlamentar në procesin e integrimit në BE. Në takim u theksua se, konsensusi gjithëpartiak i palëkundur dhe konkret merr vlera të mëdha dhe duhet të shoqërojë gjithë këtë proces. Kjo mbështet dhe e lehtëson procesin. Ajo është tregues i seriozitetit dhe vendosmërisë të vendit për rrugën integruese, një mesazh i qartë për gjithë vendet anëtare të BE dhe Komisionin Europian. Në takim gjithashtu u theksua nevoja e rritjes së shkëmbimeve parlamentare dhe u ri nënvizua mbështetja totale e parlamentit kroat për vijimin e mbështetjes të plotë për Shqipërinë.