Kryeministri Rama gjatë një vizite në Shëngjin, u takua me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtues të Policisë së Shtetit, ku u diskutua për aksionet e institucioneve për evidentimin e veprave penale në fushën mjedisore, ndërtimet pa leje dhe zaptimet që ndodhin përgjatë vijës bregdetare.

Të gjitha këto aksione janë ndërmarrë në funskion të mbrojtjes së territorit dhe në funskion të zhvillimit të një sezoni veror sa më të rregull e të sigurt për turistët. Me ndryshimet ligjore në kuadër të mbrojtjes së territorit i hapet rrugë një strategjie mirëpërdorimi afatgjatë të të gjitha pasurive natyrore.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me IKMT, kanë kryer aksione të përbashkëta, ku janë evidentuar objekte betoni dhe struktura metalike e druri përgjatë vijës bregdetare. Ministri Çuçi deklaroi se janë konstatuar ndërtimet e reja pa leje në zonat bregdetare dhe se tani institucionet janë në fazën e njoftimeve. Çuçi deklaroi se procesi i evidentimit ka përfunduar në Ksamil dhe Velipojë, dhe se të gjithë ndërtimeve pa leje do t’i pritet rruga e legalizimeve. Ministri tha se në ditët në vijim do të fillojë shembja e këtyre ndërtimeve dhe strukturave pa leje, për t’i vënë hapësirat në funksion të qytetarëve e turistëve.

Ndërsa Kryeministri Rama iu bëri thirrje të gjithë shkelësve të ligjit që të lexojnë kodin penal e të marrin masa, pasi të hënën do të jetë vonë për t’iu shmangur përballjes me ligjin. Rama deklaroi se pergjegjës për ndërtimet pa leje, pas ndryshimeve në kodin penal, tanimë është i gjithë zinxhiri i ndërtimit, që nga inxhinierët, arkitektët e punëtorët. Rama tha se nuk mund të lejohet që për shkak të situatave të komplikuara si tërmeti apo pandemia të fillojë përsëri ky aktivitet i paligjshëm, pasi natyra është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këij vendi.