Belgjika mposhti me rezultatin minimal 1-0 Portugalinë dhe u kualifikua për në fazën çerekfinale të Kampionatit Europian, ku do të përballet me Italinë, megjithatë trajneri Roberto Martinez nuk mund të jetë aspak i qetë. Kjo pasi dy yjet e skuadrës belge, Kevin De Bruyne dhe Eden Hazard u dëmtuan në ndeshjen ndaj luzitanëve dhe lanë fushën e lojës para kohe, teksa tashmë rrezikojnë seriozisht të mos rikuperohen për ndeshjen e 2 korrikut, e planifikuar për t’u zhvilluar në “Allianz Arena’ të Mynihut.

Fantazisti i Manchester City-t u dëmtua pas një ndërhyrjeje nga mbrapa prej mesfushorit të Sportingut të Lisbonës, Palhinha dhe la fushën e lojës në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Hazard kërkoi zëvendësim afër fundit të lojës dhe u largua duke mbajtur dorën në kofshën e djathtë.

Të dy futbollistët kryen ekzaminimet mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit dhe vetëm të martën pasdite do të mund të ketë një përgjigje më konkrete, megjithatë paraprakisht ka optimizëm vetëm për rikuperimin e Kevin De Bruyne. Fantazisti la fushën e lojës shumë shpejt, për të shmangur ndonjë përkeqësim të dëmtimit, ndërsa për Hazard ka dyshime se ka pësuar një tërheqje muskulore dhe nëse gjithçka konfirmohet, atëherë ylli i Realit mund të ketë humbur Europianin para kohe.