Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca bën të ditur se, “AZHBR ka ecur me disbursimin në kohë rekord të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori për vitin 2021”. “Procesi i disbursimit ka nisur më 20 maj të këtij viti dhe deri më sot janë kryer pagesa për 1858 blegtorë, bletarë dhe fermerë për zëvendësim plastmasi”, shprehet Krifca.

Krifca thekson se, “do të vijojmë me këtë ritëm në respektim të procedurave të kontrolleve administrative dhe të terrenit, deri në disbursimin e plotë të fondit të akorduar”. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural përfshiu në fazën e parë 2802 aplikime nga fermerët sa i takon financimit të tyre për një nga 9 masat. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, adreson një fond prej 804 milionë lekë subvencione për fermerët. Sipas të dhënave zyrtare mbi 13 mijë fermerë aplikuan nga 24 marsi deri në 15 prill, online në e-Albania për njërën nga 9 masat që njoftoi qeveria.