Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj ishte sot e ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga, në Dritare TV. Karçanaj u shpreh se tanimë 95% e shërbimeve shtetërore janë kryer online përmes platformës e-Albania, në një kohë kur para 2013-ës vetëm 13 shërbime kryheshin online. Hapi i radhës tha Karçanaj do të jetë kalimi online i të gjitha përgjigjeve për aplikimet.

“Kur e mora AKSHI-n në 2013-ën kishte vetëm 25 punonjës, ishin vetëm 13 shërbime online, tani janë 1207, domethënë 95% e shërbime që ofron shteti shqiptar. Ka mbetur vetëm 5% pa kaluar online dhe ky 5% ka nevojë të domosdoshme për praninë fizike të personit ose të mjetit. Një nga këta është dhe kolaudimi. Në fakt kemi shumë punë për të bërë. Ne kemi shumë plane për e-Albania-n dhe për përmirësimin e shërbimeve. Hapi i radhës do të jetë kalimi online i të gjitha përgjigjeve për aplikimet, me vula digjitale. Radha në institucione është zëvendësuar nga një aplikacion i thjeshtë, në e-Albania, ku qytetarët hyjnë dhe gjejnë gjithçka.”, u shpreh Karçanaj për Dritare TV.