Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, pa nga afër ecurinë e punimeve në kantierin “Porto- Romano Durrës, Loti 3”. Gjatë inspektimit kreu i ARRSH-së vlerësoi se punimet po ecin me ritme të shpejta, ndërsa informoi se realizimi fizik ka arritur në 50% “Ka përfunduar ndërtimi i trupit të rrugës rreth zonës së Eco Park, dy rreth rrotullimet me ishujt përkatës, si dhe ndërtimi i të gjitha veprave të artit”, bëri të ditur ai
Sipas grafikut të punimeve, ky projekt do të përfundojë para afatit të parashikuar në kontratë. Ky lot me një gjatësi 3.3 km, është një investim në funksion të Parkut Energjetik dhe Industrial të Porto Romanos si dhe zonave të lira në zhvillim duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Dy lotet e tjera të kësaj rruge tashmë kanë përfunduar.
Kjo zonë ka fluks jo të vogël automjetesh, kryesisht të tonazhit të rëndë. Përfundimi i kësaj vepre do t’a lidhë zonën e Porto Romanos me segmentin Tiranë-Durrës, në daljen e Shkozetit, duke shmangur në këtë mënyrë trafikun në qytetin e Durrësit.