Në përditësimin më të fundit të Britanisë së Madhe për rregullat e saj ndërkombëtare të udhëtimit, që hyri në fuqi sot, udhëtarët nuk mund të fluturojnë drejtpërdrejt nga Emiratet e Bashkuara Arabe në BM pa kaluar 10 ditë karantinë të detyrueshme në hotel dhe, me një kosto prej 1 750 euro (2,480 dollarë) për vetëm një të rritur, ky është një investim i shtrenjtë për të qëndruar kryesisht në hotel këtë verë. Megjithatë ekzistojnë të tjera mundësi për banorët e EBA-s, që dëshirojnë të udhëtojnë e të pushojnë pa humbur kohë me karantinë të detyrueshme dhe test PCR dhe e para nga 11 vendet e tilla renditet Shqipëria, sipas faqes arabe “The National News.

Pse ta vizitoni? Me vijat e mrekullueshme bregdetare të detit Adriatik dhe Jon, Shqipëria është një thesar në Gadishullin Ballkanik të Europës Juglindore. Atje mund të eksploroni vende arkeologjike dhe kështjella antike, të shëtisni në Alpet Shqiptare dhe të kaloni kohë në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Në këtë të fundit, mund të shikoni në Sheshin Skënderbej, të udhëtoni me teleferikun më të gjatë në rajon dhe të shëtisni për të parë natyrën në Parkun Kombëtar të Malit Dajti, pikërisht në periferi të qytetit.

Mbërritja atje. “Flydubai” kryen fluturime pa ndalesa për në Tiranë dhe udhëtimi zgjat më pak se gjashtë orë.

Çfarë duhet të bëni para se të udhëtoni? Shqipëria po mirëpret qytetarë dhe banorë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët mund të marrin një vizë gjatë mbërritjes për një qëndrim maksimal prej 90 ditësh. Nuk ka kërkesa për test PCR për të udhëtuar në Shqipëri, nëse linja ajrore me të cilën po fluturoni nuk e kërkon këtë.

Çfarë duhet të dini tjetër? Në javën e tretë të këtij muaji, Shqipëria ka në plan të krijojë qendra shëndetësore verore në 29 zona në të gjithë vendin, ku udhëtarët do të jenë në gjendje të bëjnë testet COVID-19. Turistët janë të lirë të lëvizin nëpër vend, por u kujtohet t’u përmbahen rregullave të distancës sociale prej 1,5 metrash.