Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu keqardhje për mungesën e rregullave të përbashkëta në Bashkimin Europian përsa i përket lëvizjes së personave, ndërkohë që Europa shqetësohet për përhapjen e variantit Delta të COVID-19. “Më vjen keq që deri tani ne nuk kemi arritur në një qëndrim të përbashkët të shteteve anëtare përsa i përket rregullave të udhëtimit”, deklaroi kancelarja në një konferencë shtypi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Ne kemi tashmë këtë situatë në Portugali, ne mund ta kishim shmangur. Kjo është arsyeja pse duhet të punojmë edhe më shumë”, shtoi ajo ndërkohë që Lisbona po shqetësohet për rishfaqjen e COVID-19.
Përkundër lehtësimit të masave shëndetësore në disa vende europiane, qeverisë portugeze iu desh të merrte masa kufizuese duke ndaluar hyrjet dhe daljet gjatë fundjavave në rajonin e Lisbonës.
Javën e kaluar, vendi regjistroi nivelin më të lartë ditor të infeksioneve të reja që nga shkurti. “Ne kemi avancuar këto muajt e fundit, por ende jo deri atje ku do të dëshironim që Bashkimi Europian të ishte”, theksoi Merkel.
Nga ana e saj, Ursula von der Leyen theksoi se ishte vetëm çështje kohe para se varianti Delta të kthehej në variantin dominues në kontinent. “Është e rëndësishme të vazhdojmë vaksinimin sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo sepse bëhet fjalë për të ndërmarrë një garë përballë këtij varianti më përhapës. Njëzet e shtatë vendet kanë rënë dakord së fundi për të koordinuar masat e tyre për lehtësimin e udhëtimeve në BE gjatë verës me miratimin e certifikatës COVID-19, por parashikojnë mundësinë e rikthimit të kufizimeve në raste emergjente nga një variant.