Nga Mero Baze

Bashkimi Europian dështoi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas një vendimi bllokues të Bullgarisë. Pas kësaj, disa nga vendet e Bashkimit Europian që këtë radhë ishin dakord të hapeshin negociatat, kanë filluar të shprehin keqardhjen për bllokimin e dy vendeve nga Bullgaria dhe të diskutojnë mbi atë çfarë duhet ndryshuar në vendim-marrjen e Bashkimit Europian, kur vendime të mëdha e të rëndësishme të bllokohen nga konflikte dypalëshe. Në fakt objektiv i sulmit këtë radhë ishte Maqedonia e Veriut, ndërsa ne e kemi pësuar meqë jemi vend paketë me të, në këtë proces.

Por kjo nuk duhet të marrë si persekutim. Në fakt, e kanë edhe me ne. Kur u bllokuam në vjeshtën e vitit 2019 nga Franca, meqë ajo kishte zgjedhje, Holanda heshti dhe dukej sikur fajin na e kishte vetëm Franca. Më 2020, kur Franca ishte dakord, u shfaq Holanda, e cila paskësh qenë kundër dhe më 2019, por meqë ishte e sigurtë tek Franca, bëri sikur nuk e ngriti zërin. Tani që dhe Franca dhe Holanda janë dakord, bile të zjarrta, na del që Bullgaria po ashtu paskësh qenë kundër që atëherë, por e ka fshehur veton e saj pas Francës dhe Holandës.

Pra i gjithë procesi nuk është i bazuar mbi përparimet ose jo të Shqipërisë apo Maqedonisë, por mbi problemet e vendeve të ndryshme, që përdorin hallin e Shqipërisë dhe Maqedonisë për probleme të brendshme politike. Ndaj në këtë pikë, kredibiliteti i procesit të hapjes së negociatave, është rrënuar dhe poshtëruar në emër të përdorimit të këtij procesi jetik për dy vendet, për interesa të brendshme politike të vendeve të tjera.

Por për të qenë të ndershëm, ajo që i ka bërë Maqedonisë ky proces në raport me Shqipërinë, është një ferr i vërtetë. Vendi, integriteti i të cilit në vitet ‘90 ishte jetik për paqen në Ballkan dhe ku SHBA vendosi helmetat e kaltra për ta kthyer në zonë tampon kundër konflikteve të ish-Jugosllavisë, 20 vite më vonë u hodh si “mish për qentë” në gojën e nacionalizmit të fqinjëve të saj. Greqia e bllokoi për mbi dy dekada në çdo proces integrimi në NATo dhe BE, derisa e detyroi të ndërrojë emër, tekste shkollash, të heqë monumente dhe emra rrugësh e aeroportesh. Siç themi ne në gjuhën e vrazhdët popullore, “i hoqi brekët”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Bullgaria, e cila ndjehet shtet “amë” i Maqedonisë, tani e ka bllokuar me një vendim unanim të Parlamentit, që ngjan si dënim me vdekje, për shkak të gjuhës dhe identitetit kombëtar që pretendojnë. Të dyja bllokimet ndaj Maqedonisë në fakt janë në emër të nacionalizmit, një sëmundje ballkanike e pashërueshme, që të gjithë shpresojnë se do t’i shërojë ideja e Bashkimit Europian.

Fatkeqësisht, përkundër kësaj pritshmërie, Bashkimi Europian ka ngritur një strukturë pranimi që nuk të pranon në gjirin e vet, pa leje të nacionalizmit. Ky është zhgënjimi i madh jo aq për vendet e Ballkanit, se për të ardhmen e Bashkimit Europian, pasi ai nga shpresë kundër nacionalizmave dhe fshirjes së konflikteve dypalëshe, është kthyer në një muze koleksionimi të këtyre konflikteve, ku njëra palë ka në dorë veton, dhe tjetra të drejtën për t’u poshtëruar.