Në Mbretërinë e Bashkuar nis sot samiti i grupit të vendeve më të industrializuara, i njohur si G7. Samiti është i pari që mbahet ballë për ballë prejse ka shpërt hyer pandemia e koronavirusit, pranverën e vitit të kaluar.
Është paralajmëruar se liderët e grupit do të zotohen për shpërndarjen e një miliard vaksinave kundër koronavirusit. Përveç pandemisë, në agjendë do të jenë edhe ndryshimet klimatike dhe tregtia.
Samiti do të zgjasë deri të dielën, më 13 qershor. Ai mbledh së bashku udhëheqësit e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë në pushimoren Karbis Bej, në jugperëndim të Anglisë. Rusia ka qenë po ashtu pjesë e grupit nga viti 1998, por është përjashtuar në vitin 2014, pas aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë.
Kina nuk ka qenë kurrë anëtare, pavarësisht ekonomisë së saj të madhe dhe popullsisë më të madhe në botë. Përfaqësues nga Bashkimi Evropian janë zakonisht të pranishëm në samitet e G7-ës, ndërsa India, Koreja e Jugut dhe Australia janë ftuar gjithashtu këtë vit.