Nga Alba Malltezi
Nuk do të ishte as e para dhe as e fundit parti që do të shkrihej si kripa në det. Kush politolog do ta mendonte se Demokracia Kristiane në Itali, e mbiquajtura Balena e Bardhë, pas 51 vitesh triumf e pushtet, do të përfundonte siç përfundoi: Me Betino Kraksin të turpëruar dhe në arrati dhe shkrirjen për të mos u ringritur më. Çdo gjë ka një limit, një kufi, edhe zemërgjërësia e një populli, e militantëve besnikë, ndaj një lideri sado karizmatik të ketë qenë. Partia Demokratike është pikërisht në këtë provë të madhe tani. “Mbijeton vetëm kush di të përshtatet dhe të ndryshojë”, kjo ishte edhe motoja e shkencëtarëve që në fillimet e Covid-19.
Kjo është motoja vitale e partisë më të madhe të opozitës sot në vend: shpëton, vetëm nëse ndryshon! Por a është në horizont një gjë e tillë? Vetë fakti që shumë eksponentë të kësaj partie, që nga kuksiani Ibsen Elezi, te Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi, Agron Shehaj, Bujar Nishani e të tjerë, të cilët kanë gjetur forcën të artikulojnë mendime dhe të nxjerrin fakte të ndryshme nga lidershipi që këtë parti e turpëroi dhe po e turpëron, është një shpresë e mirë. Por vetëm forca dhe zëri i tyre nuk mjafton. Duhet që dëshira për ndryshim të jetë e përmasave të tilla sa të ndikojë që “anija PD” të mos fundoset përgjithmonë.
Në këto ditë fillimvere veprimet janë fare të qarta për të gjithë, shpresojmë edhe për militantët, ndjekësit dhe simpatizantët e Partisë: Sali Berisha dhe Lulzim Basha, kërkojnë me stilin e vjetër të manipulimeve, tymnajës, shpifjeve, trasformimeve dhe shitjeve të gënjeshtërta të të vërtetave, të mbajnë Partinë që jo vetëm del humbëse nga një sfidë në tjetrën, jo vetëm që kanë treguar në 100 raste se punojnë vetëm për veten dhe familjen, por luftojnë ashpër të mbajnë një Parti që dukshëm po kthehet në një prishëse interesash të Shqipërisë dhe Shqiptarëve, vetëm e vetëm që të ruajë perandorinë e pasurive të jashtëzakonshme të mbledhura e të krijuara nga këto dy familje.
Nga ana tjetër, konkurruesit për kreun e PD-së post humbjes, edhe pse të sulmuar me të njëjtën egërsi shpifjesh e gënjeshtrash nga kasta e vjetër, projektojnë një ringjallje dhe një ndryshim në përshtatje me kohën dhe faktet e Shqipërisë së 2021. Secili prej tyre.
Qershori është prova e madhe e Partisë Demokratike, aq e madhe sa edhe ajo e prillit, ku shqiptarët me një zë të fortë e të dukshëm u thanë jo politikanëve më destruktivë, më antishtet që Shqipëria jonë e vogël pati fatin e keq të njihte.
Por për fat të mirë, me këtë pranverë, ka nisur të fryjë një tjetër erë e mbarë në vendin tonë të mrekullueshëm në këtë kënd magjik të Ballkanit Perëndimor. Atëherë, përse nga kjo erë pozitive të mos përfitojë edhe partia e opozitës, si një e kundërt e shëndetshme, logjike dhe e vërtetë, që i duhet harmonisë së demokracisë së re, kaq shumë të dëshiruarnga të gjithë shqiptarët e çdo ideje e përkatësie./ Shqiptarja.com