Nga 1 korriku hiqet tarifa Roaming për pajtimtarët e rrjeteve celulare që vizitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Kryeministri Edi Rama ndau sot këtë lajm të rëndësishëm për vendet e Ballkanit, ndërsa shtoi se “nga 1 korriku të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të flasin me kosto zero në roaming”.
Duke filluar nga data 1 korrik 2021 do të aplikohet modeli RLAH (Roam Like At Home), i cili parashikon heqjen e tarifave roaming me pakicë, kur pajtimtarët e rrjeteve celulare të Shqipërisë të vizitojnë vendet e BP-së.
Marrëveshja për reduktimin e çmimeve të shërbimeve roaming në rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor është nënshkruar nga ministritë përgjegjëse për komunikimet elektronike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia në Beograd, më 4 prill 2019.