Sali Berisha ka thënë për Arian Çanin, se shpallja e tij ‘non grata’ nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit është bërë pas kundërshtimit të tij kundër projektit për ndryshimin e kufijve në Kosovë.
Ai u shpreh më tej se akuzohet se ka bërë konspiracion kundër politikës së jashtme amerikane.
Dhe si zakonisht, deklaroi se këtë të keqe e ka nga Sorosi dhe Edi Rama. Por, le të ndalemi pak dhe për një moment t’i marrim seriozisht pretendimet e Berishës.
Sipas tij, ai ka qenë kundër ndarjes së kufijve të Kosovës, projekt, që sipas Berishës, është ideuar nga Sorosi dhe do të zbatohej nga SHBA.
Periudha për të cilën flet Berisha, ka të bëjë me kohën kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Donald Trump.
Ky i fundit u angazhua personalisht për arritjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, që në fund, do të çonte në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ai priti në zyrën e tij presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të cilët nënshkruan dhe një marrëveshje me disa pika.
Në marrëveshje nuk flitej asgjëkundi për ndarjen e Kosovës.
Tani së pari, përse do ta shpallte SHBA “non grata” Berishën, kur nuk ka pasur asnjë plan nga Uashingtoni për ndarjen e Kosovës, plan të cilin e paska ndaluar pikërisht Berisha, a thua se ai ka aq fuqi sa të ndalonte Amerikën, nëse kjo e fundit do të donte vërtet të ndryshonte kufijtë e Kosovës?
Dhe së dyti, nëse ky plan ka ekzistuar vërtet dhe pas tij qendronte Sorosi, si ka mundësi që ai po vihej në jetë nga Donald Trump, kur dihet se ata ishin armiq dhe i kishin shpallur luftë publike njëri-tjetrit?
Se tani me logjikën e Berishës, i bie që qenkan bërë bashkë Donald Trump me Sorosin, për të ndëshkuar atë.
Dhe atyre iu është bashkuar edhe Joe Biden, një politikan i njohur botërisht si pro-shqiptar dhe që nuk do të lejonte kurrë ndarjen e Kosovës!
Për të mos përmendur pastaj argumentin tjetër të Berishës, sa pas shpalljes “non grata” të tij nga SHBA, përveç Sorosit, qendron edhe Edi Rama.
I bie, sipas Berishës, që Rama paska aq fuqi, sa komandoka edhe vetë SHBA-në dhe i imponohet Ushingtonit për të marrë vendime.
Këto natyrisht, vetëm ndonjë fanatic i Berishës mund t’i besojë, pasi s’mund ta pranojë si logjikë asnjë mëndje normale.
E vërteta është fare e thjeshtë: Sali Berisha dhe familja e tij janë të korruptuar dhe për këtë arsye po shpallen “non grata”.
Sa më shpejt që Sali Berisha ta pranojë këtë gjë, aq mirë do të jetë për të, pasi nuk do të merrej më me debate qesharake dhe gjyqe kundër SHBA-së, por do të kishte kohë të përgatitej për mbrojtjen që duhet të bëjë për gjyqet që mund t’i hapen këtu shumë shpejt. (TemA)