Nëse dikush mendonte se pas zgjedhjeve të 25 Prillit politika shqiptare do të shkonte me pushime është gabuar!

Termometri politik këtë javë pritet të rritet si asnjëherë më parë, duke nisur me ditën e sotme, që do të votohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga parlamenti, një ngjarje e paprecedentë për vendim tonë.

Paraditja e sotme do ti gjejë deputetët e kuvendit përballë kutisë së votimit historik për shkarkimin e presidentit. Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë.

Megjithatë nuk pritet ndonjë surprizë por me interes do të shihet, numri total i votave pro shkarkimit, që do të prodhohen nga ky votim dhe nëse vetë Edi Rama do të rikthehet në parlament për t’ja përsëritur akuzat Ilir Metës, i cili ka shprehur vendosmëri në qëndrimin në presidencë deri në korrik 2022.

Jo një, jo dy por plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i drejtohet seancës plenare të 10 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.

Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.