Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB është suksesi më i madh i historisë së diplomacisë shqiptare.

Njëkohësisht, kjo është një arritje e madhe edhe për Ballkanin Perëndimor, i cili është përfaqësuar në institucionin më të rëndësishëm të vendimmarrjes në botë vetëm një herë më parë dhe asnjëherë në dhjetë vitet e fundit.

I vetmi vend nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që ka shërbyer në këtë kapacitet është Bosnja dhe Hercegovina, në periudhën 2010-11.

Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova nuk janë zgjedhur kurrë më parë në Këshillin e Sigurimit.

Përpara Bosnjes, duhet shkuar deri në vitin e largët 1973 për të gjetur një tjetër përfaqësuese të rajonit, në atë kohë Jugosllavinë.

Zëri i Shqipërisë në OKB do të jetë i rëndësishëm për Ballkanin për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE dhe pajtimit historik midis vendeve tona.