Selion Kupi, nga fshati Petrelë e Tiranës, me mbështetjen financiare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka shtuar nga 20 në mbi 170 numrin e krerëve në fermën e tij blegtorale të mbarështimit të dhive dhe synon që krijojë ciklin e mbyllur të aktivitetit.

Selioni e ka ngritur fillimisht fermën e tij me 20 krerë dhi. Pasioni për të punuar në blegtori dhe mbështetja që ka marrë nga qeveria, kanë qenë një shtysë për zgjerimin e biznesit.

41-vjeçari ka shumëfishuar numrin e krerëve dhe sot ka 170 krerë të imta. Ai synon të krijojë ciklin e mbyllur të aktivitetit, duke ndërtuar një stallë moderne dhe ambiente për përpunimin e qumështit dhe prodhimin e djathit të dhisë, që është mjaft i kërkuar nga tregu.

Agjencia Telegrafike Shqiptare pa nga afër investimin e Selion Kupit në Petrelë, i cili tregoi detaje që nga prodhimi i kësaj ferme e deri tek synimet e zgjerimit të aktivitetit në të ardhmen.

“Nga ferma marr rreth 130 litra qumësht në ditë dhe prodhojë 15 deri 20 kg djathë dhie. Djathi është natyral, pasi e prodhoj në mënyrë tradicionale, ose siç njihet ndryshe djathë nape, që ka shije të veçantë dhe cilësi bio”- tha ai për ATSH-në.

Selioni shprehet i kënaqur për kërkesat në rritje të klientëve që blejnë djathin nga e ferma e tij, që siç thotë ai “janë kryesisht familje nga Tirana që vijnë e marrin produktin direkt nga baxho”. Ai synon, që nëpërmjet skemave të mbështetjes të qeverisë, të zgjeroj aktivitetin e tregun e shitjeve, si dhe të rrisë prodhimin deri në 100 kg djathë në ditë.

“E veçanta e fermës time është se unë mbarështoj racën e dhive autoktone shqiptare. Blegtoria është një traditë e kahershme e trashëguar nga gjyshërit e mi dhe ferma jonë e dhive, është e vetmja në zonën e Petrelës”- u shpreh Selioni.

Ai thotë se, ka përfituar nga qeveria vaksinimin falas të bagëtive, çka e ndihmon që të ketë prodhime më sigurta, si dhe nëpërmjet Skemës Kombëtare qeveria e ka financuar me 1250 lekë për çdo krerë dhi.

“Ferma jonë është familjare dhe ne punojmë të gjithë këtu. Me zgjerimin e aktivitetit synojmë të shtojmë fuqinë punëtore me banorët e zonës dhe të rrisim të ardhurat ekonomike”- tha Selioni për ATSH-në.